Moska dëboi 18 punonjës të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Rusi, në shenjë hakmarrjeje për dëbimin e 19 rusëve nga Brukseli në fillim të këtij muaji, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.

 

“Tetëmbëdhjetë punonjës të Delegacionit të BE-së në Rusi janë shpallur persona ‘non grata’ (të padëshirueshëm) dhe do të duhet të largohen nga territori i Federatës Ruse në të ardhmen e afërt”, tha ministria në një deklaratë, më 15 prill.

 

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se kishte thirrur ambasadorin e BE-së në Rusi Markus Ederer dhe e informoi atë për masat hakmarrëse.

 

“Pala ruse ka deklaruar se BE-ja është përgjegjëse për shkatërrimin e vazhdueshëm të arkitekturës së dialogut dhe të bashkëpunimit dypalësh, të cilin u deshën dekada për ta formuar”, tha ministria.

 

Diplomatët e BE-së duhet të largohen nga Rusia sa më shpejt të jetë e mundur, shtoi ministria. Bashkimi Evropian e vlerësoi këtë vendim si të pajustifikuar.

 

“Bashkimi Evropian shpreh keqardhje për vendimin e pajustifikuar dhe të pabazuar të Federatës Ruse për të dëbuar 18 anëtarë të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Federatën Ruse”, tha shërbimi diplomatik i BE-së në një deklaratë.

 

“Nuk ka asnjë bazë për vendimin e autoriteteve ruse të premten, përveç se ky është hap i pastër hakmarrjeje. Mënyra e zgjedhur e veprimit e Rusisë do të thellojë më tej izolimin e saj ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

 

Më 5 prill, Bashkimi Evropian shpalli persona “non grata” 19 diplomatë rusë për “pjesëmarrje në aktivitete në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik” dhe i urdhëroi ata të largoheshin nga vendi mikpritës Belgjika.

 

Vendet perëndimore kanë dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Moska, ndërkaq Rusia ka thënë se do të përgjigjet ndaj të gjitha dëbimeve të tilla./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *