Ministria ruse e mbrojtjes tha të mërkurën se 959 ushtarë ukrainas janë dorëzuar këtë javë në bastionin e fundit të qytetit të rrethuar të Mariupolit.

 

 

Një zëdhënës i ministrisë ruse të mbrotjes u tha gazetarëve se 694 ushtarë ishin dorëzuar gjatë 24 orëve të fundit.

 

Zyrtarët ukrainas nuk i kanë konfirmuar shifrat. Zëvendësministrja ukrainase e mbrojtjes, Anna Malyar, tha të hënën se më shumë se 260 luftëtarë kishin lënë rrënojat e fabrikës së çelikut, “Azovstal”, dhe ishin dorëzuar tek forcat ruse, që ishte në përputhje me shifrat e dhëna nga Rusia.

 

Rusia e quajti këtë një dorëzim masiv. Ndërsa ukrainasit thanë se garnizoni i tyre e kishte përfunduar misionin e tij.

 

“Qëllimi ishte që djemtë tanë, të cilët mbrojtën me heroizëm qytetin dhe frenuan armikun në Mariupol, të mos lejonin kalimin e trupave ruse nëpër Mariupol”, i tha kryetari i bashkisë së Mariupolit Vadym Boychenko Shërbimit në gjuhën ukrainase të Zërit të Amerikës. “Ata shpëtuan kombin, ata lejuan Forcat e Armatosura të Ukrainës të përgatiteshin dhe qytetet e tjera të përgatiteshin më shumë për këtë luftë të tmerrshme që tashmë kishte përfshirë Ukrainën”, shtoi ai.

 

Nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me luftëtarët e dorëzuar ukrainas. Një zyrtar rus hodhi dyshime mbi mundësinë e një shkëmbimi në shkallë të gjërë të të burgosurve. Pushtimi i Mariupolit, një qytet përgjatë bregut verior të Detit Azov që para luftës kishte 430,000 banorë, do të ishte suksesi më i madh i Moskës në ofensivën e saj gati tre-mujore kundër Ukrainës. Por, Rusia po lufton për të pushtuar më shumë territor në Ukrainën lindore dhe nuk ka arritur ta rrëzojë qeverinë e presidentit Volodymyr Zelenskyy, ose të marrë kryeqytetin e vendit, Kievin.

 

Ukraina vlerëson se 20,000 civilë janë vrarë nga bombardimet që e kanë kthyer në gërmadhë pjesën më të madhe qytetit të Mariupolit. Ajo që ka mbetur prej tij ndodhet midis territorit rus dhe gadishullit të Krimesë, të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

 

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, u tha gazetarëve të martën se është “e vështirë të dihet” se çfarë nënkupton ndërprerja e operacioneve luftarake në Mariupol.

 

“Ne kemi folur gjatë për rëndësinë e Mariupolit si një port i madh ekonomik në Detin Azov dhe për rëndësinë e tij gjeografike për luftimet në lindje”, tha zoti Kirby.

 

Ai shtoi se Rusia ka një qëllim të qartë “për të rrethuar dhe pushtuar Donbasin dhe pjesën lindore të vendit”, por se “ata nuk e kanë arritur qëllimin e tyre”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *