E martë, 10 Nëntor 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Rumania referendum për reformat në gjyqësor

Rumunët po votojnë në një referendum mbi përpjekjet e koalicionit qeverisës të majtë, për të përmbysur reformat anti-korrupsion, në vendin, që konsiderohet si ndër më të korruptuarit në Bashkimin Evropian.

 

Referendumi, që po mbahet së bashku me votimet për Parlamentin e ri Evropian, u thirr nga presidenti rumun, Klaus Iohannis, i cili mbështetet nga opozita e qendrës së djathtë.

 

Reklamë

Votuesit do t’i përgjigjen dy pyetjeve në këtë referendum.

 

Pyetja e parë është: A mbështesni ndalimin e amnistisë dhe faljes në rastet e lidhura me korrupsionin? Ndërkaq, pyetja e dytë: A mbështesni ndalimin e miratimit nga Qeveria e urdhrave të jashtëzakonshëm, në fushën e krimeve, ndëshkimeve dhe organizimit gjyqësor dhe zgjatjen e të drejtës për ankesë drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese?

 

“Drejtësia është çështje e interesit kombëtar dhe njerëzit kanë të drejtë të vendosin nëse duan apo jo që korrupsioni të bëhet politikë shtetërore”, deklaroi presidenti Iohannis, kur shpalli mbajtjen e referendumit.

 

Në muajin shkurt, mijëra qytetarë kishin protestuar në Rumani, pasi Qeveria e majtë kishte miratuar masat emergjente – pa bërë fillimisht një debat publik për to – masa të cilat, sipas kritikëve, kufizojnë pavarësinë e prokurorëve.

 

Këto masa ishin në vazhdën e disa ndryshimeve legjislative që ka bërë Qeveria e udhëhequr nga Paria Social-Demokrate, e cila erdhi në pushtet dy vjet më parë. Ndryshimet e bëra nga kjo qeveri, nxitën shqetësim në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara, mbi sundimin e ligjit në Rumani.

 

Partia Social-Demokrate kundërshton referendumin dhe miratoi një dekret që ndryshoi pragun e votimit, duke bërë që referendumi të jetë i vlefshëm vetëm nëse në votime marrin pjesë 30 për qind e votuesve të regjistruar në listat kombëtare./REL

Vazhdo të lexosh

Reklamë