Mazhoranca është e vendosur që të miratojë reformën në drejtësi brenda këtij sesioni parlamentar. Në një letër të siguruar nga Vizion Plus, kreu i grupit parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi drejtuar kryetarit të kuvendit Ilir Meta, kërkohet futja sa më parë në kalendar të 7 projektligjeve bazë, të cilat do të reflektojnë ndryshimet kushtetuese që kërkon reforma në drejtësi. Ruçi kërkon në këtë letër që ditën e enjte, konferenca e kryetarëve të futë për shqyrtim projektligjin për ndryshimet kushtetuese, së bashku me 7 drafte ligjet që e shoqërojnë atë, në mënyrë që të kalojnë në seancë plenarë gjatë korrikut.

1. Të njoftojë kuvendin  në seancën më të parë për projektligjet përkatëse të hartuara nga Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën drejtësi, me qëllim shqyrtimin e tyre në seancë plenare gjatë muajit korrik.

2. Të përfshihen në kalendarin e kuvendit shqyrtimi dhe hartimi i projekt amendamenteve kushtetuese sëbashku me 7 projektligjet përkatëse, miratimi i të cilave përbën përparësi vendimmarrjeje për kuvendin për shkak se bëjnë të mundur zbatimin e projektligjin “ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për kushtetutën e republikës së Shqipërisë” .

Kreu i grupit kuvendor të socialistëve i kujton Metës dakordësinë politike që PS ka me LSI, por edhe me opozitën për të miratuar sa më parë reformën në drejtësi.

“Miratimi i njëkohshëm me projektin kushtetues i projektligjeve të mësipërme (projektligje me shumicë të cilësuar) është pjesë e dakordësisë së palëve politike të përfshira në proces, një kërkesë e vetë përfaqësuesve të opozitës në Komisionin e posaçëm, me synimin për t’i dhënë besueshmëri e garanci procesit reformues të sistemit.”

Ruçi nënvizon si emergjente për vendin miratimin sa më parë të reformës në drejtësi dhe analizën e gjithë sistemit aktual që do të duhet të bëjnë institucionet e reja.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *