Ruçi: Kuvendet të lehtësojnë bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë

Kreu I Kuvendit Gramoz Ruçi, u takua me delegacionin e Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Nënkryetarja, Aida Dërguti.
Delegacioni kosovar e informoi Kryetarin e Kuvendit mbi dy rezolutat e miratuara ditët e fundit prej Kuvendit të Republikës së Kosovës, Rezolutën Nr. 06-R-004 “Për heqjen e Roamingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe republikes së Shqipërisë”, dhe Rezolutën Nr.06-R-005 “Për heqjen e tërësishme të kontrollit për hyrje/daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në pikat kufitare: Vërmicë, Qafë Prush, dhe Qafë Morinë”.
Kryetari i Kuvendit, Z. Gramoz Ruçi, u shpreh dakord me propozimet e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të përfshira në rezultata e miratuara. “Është detyra e kuvendeve të të dy vendeve,”-nënvizoi kryetari Ruçi, “të lehtësojmë bashkëpunimin e gjithanshëm midis Shqipërisë e Kosovës, në mbështetje të interesave të qytetarëve.
Për të dy palët ekziston vullneti i plotë dhe i qartë politik. Këto rezoluta janë një hap pozitiv, por duhen parë me kujdes teknikalitetet e zbatimit të tyre prej qeverive dhe institucioneve të të dy vendeve”.
Në takim u bisedua edhe për çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh në fushën e energjisë, njehsimit të diplomave, plotësimit të standardeve të integrimit etj.




