Një grup studentësh i Programit Master i Shkencave, dega Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun mblodhën në një tryezë të rrumbullakët studiues si dhe artistë në kuadër të fushatës “Ruaj traditën, festo shqip” që synon ndërgjegjësimin e të rinjve në ruajtjen e folklorit.

 

Kryefjala e tryezës ishte rreziku i humbjes së trashëgimisë sonë folklorike. Studiuesit janë shprehur të shqetësuar në lidhje me vështirësinë e tejkalimit të folklorit nga brezi në brez.

 

Duke i’u referuar bartësve, gati njëzëri të gjithë ranë dakord mbi faktin se bartësit po humbasin, e ndërkohë po humbim edhe një trashëgimi kulturore.

 

Menaxherja e fushatës studentja Donisa Perseku falenderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen ndërsa përmendi arsyet e ndërmarrjes së një fushate të tillë duke u nisur edhe nga nevojat e shoqërisë sonë për të ruajtur rrënjët e tyre.

 

Shkrimtari i njohur Doc. Dr. Agron Tufa u ndal në elementët e veçantë të folklorit shqiptar të cilat i bëjnë rrënjët tona të thella dhe impresionuese për këdo që i përjeton.Një pjesë të rëndësishme të takimit e zuri dhe rëndësia e lahutës, duke i’u referuar dhe ngjarjeve të fundit.

 

Koleksionisti dhe instrumentisti Ermal Sela duke parë lahutat e vendosura mbi tryezë tha se tre prej tyre janë autentike shqiptare, duke bërë kështu dallimin mes lahutës shqiptare dhe asaj serbe.

 

Ndër të tjera ai tha se për shkak të masivizimit po prodhohen lahuta serbe si të ishin shqiptare.

 

Me këtë rast në tryezë ishin të ftuar dy lahutistë të njohur të cilët luajtën me veglat e tyre muzikore Jonuz Delaj dhe Gjin Peplokaj si pjesë nga trashëgimia jonë në shekuj (Eposi i kreshnikëve), ashtu edhe krijime të tyre origjinale. Etnologia dhe antropologia Armanda Hysa u shpreh se folklori i vërtetë nuk gjendet në festivalet folklorike, por tek festat familjare dhe dasmat.

 

Po ashtu edhe studiuesja Ilirjana Kaceli përmendi edhe ngjarjet historike me rëndësi për trashëgimin e kulturës sonë.

 

Ndërkaq Genc Kastrati, koreograf pranë Ansamblit të shtetit, foli për vallet popullore shqiptare duke treguar mbi veçantitë e tyre.  “Vallet ballkanike karakterizohen nga lëvizje dinamike të këmbëve, ndërsa në vallen shqiptare, lëviz çdo gjymtyrë e trupit.”

 

Më tej ai shton, edhe shpjegimin e fjalës valle, me anë të fjalës arbëreshe valë, duke shpjeguar përkatësisht ndjesinë që jep vallja shqipe, dinamike dhe elegante.

 

Ndërsa ish balerina e ansamblit dhe koreografja, Lindita Kaimi veç nostalgjisë për konkurset e viteve të shkuara, si dhe kujtesës mbi disiplinën dhe kujdesin me të cilat kuroheshin vallet, na solli në vëmendje dhe larmishmërinë e kostumeve popullore shqiptare, si dhe ndryshimet që janë prezente edhe në fshatra shumë të afërt.

 

Fushatës së studentëve i është bashkuar edhe balerina e njohur e Teatrit të Operas dhe Baletit, Isida Mollaymeri e cila i ka mbështetur studentët në hapat para të organizimit të aktiviteteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *