Subscribe

Ajo që Aleanca e Atlantikut të Veriut ka nevojë sot, kur përballet me sfida të shumta, nga problemet me Rusinë e deri tek terrorizmi, është rishikimi i arkitekturës dhe zgjerimit të saj. Deklarata vjen nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta në ditën e fundit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Zgjerimin e Aleancës ushtarake më të madhe në botë e vlerësoi si domosdoshmëri edhe kryeministri Edi Rama. Në mënyrë të veçantë ai u ndal në çeljen e dyerve edhe për Kosovën dhe Maqedoninë. Përveç përballjeve me problematika të shumta, me të cilat është e angazhuar Aleanca, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria, kreu i qeverisë u ndal edhe në problemet e brendshme të vendit e ku prioritet mbetet reforma në drejtësi. Dhe kur flitet për procesin e integrimit, kryeministri Rama nuk ngurroi të shpotiste britanikët, të cilët gjenden në prag të referendumit për shkëputjen ose jo të vendit të tyre nga Unioni.

“E mbaj mend delegacionet që vinin të më takonin 10 vjet më parë, kur isha kryetar bashkie. E kush do të thoshte atëherë që pas 10 vitesh unë do të isha kryeministri ndërsa ju do të ishit gati për tu larguar nga Europa. Është një botë shumë interesante dhe unë nuk e kisha imagjinuar asnjëherë që do më duhej të ndërhyja në një debat në Mbretërinë e Bashkuar për të qëndruarit ose jo të saj në BE dhe të shkruaja në ” The Times” dhe t’ju thoja: Ju lutem mos u largoni”.

Nga ana e tij, Presidenti i Asamblesë së NATO-s, Michael Turner kërkoi një angazhim më të madh.  Gjatë punimeve të Asamblesë temat më të rëndësishme ishte ato të sigurisë dhe kërcënimet që i kanosen paqes.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *