Votimi dhe numërimi elektronik është një nga elementët e procesit zgjedhor për të cilin opozita deklarohet se në disa raste ai është kryer në shkelje të ligjit. Ajo akuzon për dështim Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në hedhjen e votës në fshehtësi. Sipas saj në raste  të caktuara operatorët teknikë kanë votuar vetë ose kanë lejuar persona të tretë ta bëjnë dhe po aq kanë lexuar vullnetin politik të zgjedhësit. Ky pretendim i opozitës nuk kundërshtohet nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.

“Sjellja e operatorëve në këtë rast është gati e njëjtë si me rastin e dikujt që voton me fletë votimi dhe është dikush tjetër që e intimidon, e këshillon apo i tregon sesi duhet të votojë. Por asesi integriteti i aspektit teknik të këtij procesi nuk është cënuar”, tha Celibashi.

Për opozitën këta operatorë që kanë shkelur rregullat e votimit duhet të ndiqen penalisht, ashtu siç edhe ligji e parashkon. Por KQZ nuk e ka ndërmarrë një veprim të tillë pasi për shkak të kohës së pamjaftueshme shumë nga operatorët teknikë nuk u arrit të udhëzoheshin plotësisht.

“Nuk di të them nga pikëpamja subjektive sesi e kanë kryer këtë veprim operatorët, para kanë qenë të vetëdijshëm që do të donin dhe kanë dashur që të ndikojnë votuesin në zgjedhjen e tij apo është reflektim i mungesës së njohurive të tyre. Jemi në vlerësim të këtyre problematikave për të parë nëse ka vend për sanksione administrative apo me veprime që mund të lidhen me kallëzime të mundshme penale”, u shpreh ai.

Për Vizion Plus Ilirjan Celibashi deklarohet pro kërkesës së opozitës për të pasur një auditim të pavaruar të çertifikuar të pajisjeve të votimit dhe numërimit elektronik.

“Nuk ka asnjë arsye që të dyshojmë mbi integritetin e  funksionalitetit të asaj pajisje. Kjo nuk ndodh. Nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur në mënyrë absolute. Ashti siç edhe ODIHR e kërkon, ne e mbështesim idenë që të këtë një auditim të një pale të tretë. Në mednimin dhe opininon tim të këtë një lloj mbikëqyrje dhe auditimi të paktën nga partitë kryesore, një auditim i ngjashëm siç bëhet mbikqyrja dhe përgatitja e listës së zgjedhësve”, tha Celibashi.

Prej 2021-it votimi dhe numërimi elektronik është pilotuar në tre procese zgjedhore. Qeveria ende nuk ka një vendim nëse në parlamentaret e 2025-ës ai do të shtrihet në të gjithë territorin apo do të zbatohet vetëm në disa qarqe të mëdha dhe kryesore. Po aq edhe për pjesën tjetër të tekonologjisë, identifikimit elektronik, Ilirjan Celibashi është i mendimit që përgjegjësinë e zbatimit të tij ta vazhdojë ta ketë e zgjedhura e opozitës, mandati i së cilës përfundon në vjeshtë.

“Edhe pse historiku i identifikimit elektronik pavarësisht problematikave, mund të konsiderohet si sukses më duhet ta them nuk ështe një eksperiencë e konsoliduar”,  tha Celibashi. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *