Mjeku ortoped Ilir Hasmuça tha se periudha e verës sjell gjithmonë rritje të të plagosurëve në aksidente.
I ftuar në studion e Quo Vadis në Vizion Plus, mjeku deklaroi se pavarësisht pranisë së monopatinave dhe biçikletave, makinat mbeten shkaku kryesor i incidenteve, për shkak të numrit më të madh të përdoruesve.
Pjesë nga biseda:
Hasmuça: Vera është e pritshme që ka aksidente. Dita më e gjatë, lëvizjet për pushimet, ka njerëz që vijnë që ikin. Kjo automatikisht sjell aksidente në këtë periudhë. Në verë, ka ditë që ka shumë aksidente dhe ka ditë që janë shumë të qeta.
Borakaj: Lidhet me ndonjë faktor të caktuar apo jo?
Hasmuça: Para 2 ditësh isha në një roje 24 orë dhe nga eksperienca personale e prisja që deri në fund të drekës dhe pasditja vonë të ishte e qetë dhe pastaj pasditja e më tutje të ishte full. Dhe ashtu ndodhi. Kjo se në kthim gjithmonë kanë pirë një gotë. Kemi pasur aksidente nga monopatinat, nga makinat, aksidente të fëmijëve që luajnë nëpër parqe. Gama e aksidenteve dhe mosha është e larmishme.
Borakaj: Ka më shumë aksidente nga monopatinat, makinat, apo biçikletat? Bëjmë dot një ndarje?
Hasmuça: Aksidentet nga makinat nuk i tejkalon dot askush sepse edhe numri i njerëzve që përdorin makinën është më i lartë. Gjatë verës ka më shumë aksidente nga makinat.
/vizionplus.tv





