Brenda vitit të ardhshëm, bizneset do të kenë një zonë të lirë ekonomike në Tiranë, me impakt të drejtpërdrejtë e të matshëm në zhvillimin e qytetit dhe stimulimin e rritjes ekonomike.

 

Duke folur në Takimin Vjetor të Bankës Botërore dhe FMN, mbajtur në Washington, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se brenda vitit 2020 në Kashar do të hapet Zona e Lirë Ekonomike.

 

Funksionimi i kësaj zone ka si qëllim krijimin e një territori të veçantë me regjim fiskal dhe doganor tepër lehtësues për ushtrimin e aktivitetit ekonomik që nxit investimet, hapjen e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave, përshpejtimin e zhvillimit rajonal dhe zgjerimin e lidhjeve ekonomike të tregut kombëtar dhe ndërkombëtar, futjen e teknologjisë së përparuar dhe përshpejtimin e qarkullimit të mallrave dhe kapitaleve.

 

Krahas krijimit të kësaj zone, Bashkia e Tiranës me projektin e saj të transformimit të Piramidës, pritet që të krijojë edhe qendrën më të madhe teknologjike në rajon, ku mijëra të rinj do të mësojnë kodimin dhe të përgatiten për teknologjinë e së ardhmes dhe nevojat e reja të tregut të punës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *