Subscribe

Edhe pse ka marrë dy rekomandime në kohë të ndryshme, një nga Autoriteti i Konkurrencës dhe një nga Komisioni i Ekonomisë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, nuk ka reflektuar në rregulloret e tij vënien në zbatim të sistemit bonus-malus. Ky sistem do të mundësonte që ai që ka bërë më shumë aksidente të paguajë më shumë, e ai që ka bërë më pak të paguajë më pak. Në datën 17 korrik të vitit 2014-të institucioni që mbikëqyr tregun e sigurimeve i është përgjigjur kërkesës së Autoritetit të Konkurrencës, për vendosjen e sistemit të ri që siguracioni i mjeteve, të paguhet në bazë të vjetërsisë së drejtuesit dhe numrit të aksidenteve të tij. AMF është përgjigjur kështu:

Janë kryer zhvillimet përkatëse në regjistrat elektronik të qendrës së sigurimit te detyrueshëm motorik dhe aktualisht po testohen e po kryen zhvillimet përkatëse të sistemeve nga shoqëritë e sigurimit. Ky sistem pritet të dali në produksion në një fazë opsionale në datën 21/07/2014 me qëllim trajnimin e agjentëve e më pas në datë 20/08/2014 do të bëhet i detyrueshëm për të gjitha shoqëritë e sigurimit.

Por sot, dy vite më pas, ky sistem ende nuk është implementuar. Konkurrenca sërish ka këmbëngulur dhe ka bërë këto rekomandime për autoritetin e mbikëqyrjes financiare:

Të bëjë të zbatueshëm parashikimin ligjor për trajtimin e dëmit nga siguruesi i drejtpërdrejtë. Të informojë Autoritetin e Konkurrencës në mënyrë periodike mbi vënien në funksionim të projektit bonus-malus deri në realizimin e plotë të projektit për individualizimin e primit të riskut sipas historikut të dëmeve të të siguruarit, moshës së drejtuesit te automjeteve, vendbanimi dhe fuqia motorike e automjetit.

Më pas, ka qënë Komisioni i Ekonomisë që ka bërë të njëjtën kërkesë. Por AMF, nuk ka reflektuar sërish. Sot është kjo situatë, ku çmimet në tregun e sigurimit të makinave janë rritur njëherësh me 5 mijë lek më shumë për mjetet e vogla dhe me 10 mijë lek për të mëdhatë.

Agjencitë e sigurimit kur vjen rasti për të tilla situata gjithmonë krahasojnë çmimet me vendet europiane. Në gjithë këtë situatë, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare jep të  njëjtën deklaratë:

Sistemi bonus-malus është gati dhe do të vihet në funksionim shumë shpejt!

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *