Subscribe

Ka më shumë se 6 muaj që ekspertët e Ministrisë së Financave po punojnë për të gjetur dy formula: atë të rritjes së pagave dhe një tjetër, pak më të vështirë, për rritjen e pensioneve. Shpeshherë ministri i Financave Arben Ahmetaj nuk ka mohuar nën zë se vullneti është për t’i rritur, madje ai ka thënë se dhe paratë nuk mungojnë, por fjalën e fundit për një vendim që pritet të miratohet shumë shpejt e ka thënë një ditë më parë kryeministri Edi Rama.

“Nuk do të ketë më rritje taksash, por do rritim pagat dhe pensionet. Mbetet për t’u saktësuar në detaje plani i rritjes së pagave: do i rritim se shumë se sa i ka rritur qeveria paraardhëse në çdo vit të saj. Asnjë qeveri nuk ka ndarë 100 milionë dollarë për njerëzit. Janë 100 milionë dollarë që ne do t’i ndajmë nga arka e përbashkët e shtetit dhe do t’i kalojmë tek çdo familje me rritje pagash e pensionesh.”

Vizion Plus ka mësuar se rritja do të fillojë në vitin 2017-të dhe po punohet që ndryshimet të përfshihen në buxhetin e ri që po hartohet. Për këtë arsye, Ministria e Financave ka përfshirë në axhendën e takimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar edhe diskutimet për rritjen e pagave dhe pensioneve. Duke nisur që ditën e hënë, dhe për 7 ditë me radhë, ministri i Financave do të marrë pjesë në takimet vjetore të  Fondit në Uashington dhe do të synojë të marrë që aty orientimet dhe dakordësinë e FMN-së për paketën e re fiskale dhe mënyrën se si do të ndryshojnë pagat dhe pensionet. Pika më e nxehtë e diskutimeve institucionale ka qenë pikërisht rritja e pensioneve, për shkak se ligji i ri nuk lejon ndryshimin e skemës. Por Ministria e Financave ka gjetur formulën: ajo do të rritë pensionin minimal, të njohur ndryshe si pensioni social, i cili është 8400 lekë të rinj me 15% dhe shtesa vjetore prej 1% do të llogaritet mbi këtë shumë. Për pagat synimi është që të rriten nga 15 deri në 20%, por deri tani asgjë nuk është përfundimtare, pasi fjalën e fundit për këtë do ta thotë FMN.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *