Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili reagoi pas lajmit se kompanitë celulare kanë rritur ofertat për paketat e tyre. Gjatë një deklarate për mediat, Vasili tha se ky është një vendim abuziv dhe i dakodësuar mes të gjitha kompanive celulare.
“Fakti që këto rritje tarfiash bëhen mënjeherë dhe të gjitha kompanitë ofrojnë të njëjtat paketa, me të njëjtat çmime dhe të njëjtat rritje, tregon që kemi të bëjmë me një marrëveshje të karakterit monopolist në dëm të qytetarëve dhe me garancinë që kjo do të jetë e paprekshme nga ana e qeverisë. Një veprim i tillë sigurisht i kryer në këtë formë dhe në këtë masë, është një veprim i rëndë që u bie ndesh interesave të gjithë shqiptarëve.Ky është një abuzim me një shërbim jetik pa të cilët shqiptarët nuk bëjnë dot dhe që lidhet jo vetëm me punën e tyre por edhe me raportet familjare e në mënyrë të veçantë të lidhjes që mijëra shqiptarë brenda Shqipërisë kanë me mijëra e mijëra shqiptarë jashtë vendit.”
Më tej, Vasili akuzoi edhe qeverinë. Sipas numrit dy të LSI, kompanitë celulare veprojnë lirshëm sepse gëzojnë mbështetjen e kryeministrit Edi Rama. Petrit Vasili tha se qeveria është kundër interesave të qytetarëve.
“Një veprim i tillë, kryhet sepse drejtuesit e kompanive celulare janë shumë të qetë që qeveria nuk është kurrë pengesa e tyre por është në krah të tyre dhe nuk bën asgjë për mbrojtjen e intereasve te qytetarëve. Kryeministri Edi Rama, i cili ka mbrojtur e ulëritur për oligarkët e koncesionet e tyre, nuk thotë asnjë fjalë për këtë veprim që monopolet e telefonisë celulare kryejnë në dëm të qytetarëve. Qeveria ka vetëm një shqetësim, ka vetëm një qëllim, ka vetëm një objektiv: Të jetë kundër qytetarëve dhe të mbështesë interesat e monopoleve, oligarkëve, koncesioneve, të cilët janë njëherazi klientë të saj dhe shpërdorues të parave dhe aseteve publike të Shqipërisë.”