Rastet e agresivitetit dhe dhunës mes te miturve në vendin tonë kanë arritur në nivele shqetësuese. Kështu shprehet sociologia Marsi Simo teksa nënvizon faktorët që po ndikojnë në këtë fenomen, duke vënë theksin te ndikimi i rrjeteve sociale.
“Faktikisht nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla mes adoleshentëve dhe të miturve në veçanti, ëkto vitet e fundit janë rritur shumë rastet e agresivietit në vendin tonë. Dhe këtë e gjejmë nëpër shkolla, rrugë, kudo dhe e shikojmë edhe te fëmijë më të vegjël. Është një situatë ku ne tronditemi më shumë kur kemi viktima, por çdo jetë ka vlerë edhe kur fëmijët kërkojnë ndihmë. Sot e humbasin fëmijërinë duke dashur të jenë më të rritur, por duke dhunuar, duke marrë këto kompetenca edhe në forma dhe më negative që përpos humbjes së fëmijërisë janë individë që gjithmonë do të jenë në kërkim të vetes dhe në predispozitë për të bërë krime të tjera”, thotë sociologia.
Sipas Simos në rrjetet sociale të miturit dhe të rinjtë gjejnë modelet e gabuara, të cilat përpiqen t’i imitojnë.
“Sot ka modele të tjera akoma dhe më ndikuese siç janë rrjetet sociale dhe fatkeqësisht më shumë fëmijët sot po edukohen nga rrjetet sociale dhe janë ata udhëzuesit e tyre dhe modele më të forta sesa prindërit apo modele të tjera. Por nga ana tjetër fëmijët sot nuk kanë kënaqësi, nuk kanë pjesëza lumturie nuk kanë ku të shprehin emocionet energjinë e tyre dhe të vetmen hapësirë e kanë rrjetet sociale. Dhe nëse është kaq e kufizuar ata bien pre e ketyre devijancave, krimeve ,modeleve që mund të kopjohen shpejt. E gjitë kompetenca duhet të shtrihet akoma më shumë si mësuesit, drejtoria si dhe struktura të tjera si oficerët e sigurisë apo dhe policinë, qe duhet të jetë gjate gjithë kohës aty. Është një figurë që është më se e nevojshme sidomos në situata që duket se komunikimi nuk vlen. Duhet një figurë autoriteti për të forcuar”, thotë Simo.
Sipas eksperteve është i nevojshëm një bashkëpunim më i mirë mes strukturave arsimore, prindërve dhe strukturave te sigurise për të minimizuar dhunen dhe për të mbrojtur fëmijët./vizionplus.tv





