Rritet tensioni mes Uashingonit dhe Teheranit
Shtetet e Bashkuara do te dërgojnë një sistem mbrojtës raketor si dhe luftanije, në Lindjen e Mesme. Lëvizja e fundit e Uashingtonit vjen në një kohë që tensionet me Iranin janë përshkallëzuar.
Qeveria amerikane miratoi vendosjen e sistemit të mbrojtjes raketore Patriot qe do t’i bashkohet luftanijes Abraham Lincoln. Ato tashmë kanë kaluar përmes kanalit Suez të Egjiptit dhe aktualisht po lundrojnë në Detin e Kuq.
Shtetet e bashkuara deklarojnë se vendosja e pajisjeve ushtarake në rajon vjen në përgjigje të “rritjes së gatishmërisë iraniane për të kryer operacione sulmuese”. Më herët Uashingtoni dërgoi edhe një forcë ushtarake amerikane e cila tashmë ndodhet në bazën ajrore amerikane Al Udeid në Katar.
Në një deklaratë për shtyp Pentagoni njoftoi se “Departamenti i Mbrojtjes vazhdon të monitorojë nga afër aktivitetet e regjimit Iranian.
Irani ka reaguar duke thënë se masat e marra nga SHBA-të, janë një “luftë psikologjike” që po përdoret për të frikësuar Teheranin.
Tensionet mes Uashingtonit e Teheranit vijnë pas tërheqjes së njëanshme të Trump nga marrëveshja bërthamore me Iranin . SHBA kanë akuzuar vazhdimisht presidentin Hassan Rouhani se nuk ka respektuar marrëveshjen, duke detyruar presidentin amerikan të deklarojë tërheqjen e vendit të tij nga pakti ndërkombëtar dhe vendosjen e sanksioneve ekonomike.
Pas tërheqjes së Uashingtonit, Irani ka vazhduar planin e tij me programin bërthamor. Madje Teherani ka kërcënuar edhe me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e naftës për konsum global.




