Subscribe

Importi i makinave të përdorura pësoi një rritje me 50 % në muajin nëntor krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë. Duke ju referuar të dhënave zyrtare nga doganat në muajin që lamë pas, importi i automjeteve të përdoruara arriti në 8300 të tilla.

 

Kjo rritje lidhet edhe me debatin që nisi gjatë muajit tetor –nëntor, për të kufizuar importin e makinave me mbi 10 vite përdorim. Ky fakt ka bërë që individët, por edhe tregtarët nxituan të importonin automjete të përdorura. Në total shifrat zyrtare nga doganat tregojnë se importi i makinave nga janari në nëntor të këtij viti, arriti në 51 mijë të tilla, rreth 8 mijë më shumë se 11 mujori i vitit të kaluar.

 

Mosha e makinave të importuara mbetet për t’u parë pas targimit të tyre në zyrat e transportit dhe shërbimit rrugor. Por ky volum i rritur i importit ka bërë që shumë prej automjeteve të mos arrinin të zhdoganoheshin para datës 2 dhjetor, kohë kur hyri në fuqi edhe vendimi i qeverisë për të ndaluar importin e automjeteve mbi 10 vite përdorim.

 

Ky fakt ka bërë që aktualisht të jenë me qindra automjete që kanë mbetur në vendparkimet e pikave doganore në shumë qytete të vendit. Burimet i thanë Vizion Plus se Ministria e Mjedisit po shqyrton mundësinë që për automjetet e mbetura në kufi të mund të ketë një “amnisti” pra të zhdoganohen.

 

Por që kjo të ndodhë duhet të që nisma të miratohet në qeveri. Deri sa kjo të ndodhë, individët dhe tregtarët duhet të presin të paktën deri në fund të dhjetorit, kohë që vendimi të marrë formë zyrtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *