Subscribe

Pasiguria në tregjet financiare ndërkombëtare, por edhe orientimi i qeverisë shqiptare për të marrë hua përmes eurobondit, po ul ndjeshëm fitimin e bankave. Të gjendura në këto kushte, bankat kanë rritur menjëherë në muajin maj interesat për kreditë e reja nga 6 në 7.2%. Kjo politikë në fakt është kundër sinjaleve të qarta që ka dhënë Banka e Shqipërisë e cila ka ulur në minimume historike interesin e lekut me qëllim rritjen e kredisë dhe reduktimin e kostos së saj. Shqipëria vijon të mbetet një nga vendet që ka normat më të larta të huave në rajon, në një kohë që fitimi i qytetarëve nga depozitat po shkon drejt zeros. Vetëm në këtë vit banka qendrore uli 3 herë rresht interesin e lekut duke e çuar atë 1.25%, por kjo nuk ka dhënë asnjë efekt, madje kreditë afatshkurtra njohën këtë periudhë një rritje të interesave deri në 8.3%. Një nga argumentet që kanë përdorur gjithnjë bankat është niveli i lartë i kredive me probleme që rrit ndjeshëm riskun në tregjet tona. Edhe pse pastrimi i bilanceve me kreditë e humbura uli disi portofolin e kredive të këqija, sërish 19.8% e totalit të huasë nuk po arrin të mblidhet. E përkthyer në vlerë monetare vetëm kredi të humbur bankat kanë 500 milion dollarë, kësaj shifre iu shtua në 2016-ën edhe 35 milion eurot e kredive të kompanisë KURUM.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *