Subscribe

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, gjatë një konference tha se buxheti i vitit 2022 parashikon rritje për këtë ministri, rreth 32.6 mld lekë më shumë se ai i një viti më parë.

Ai tha se objektivi i kësaj ministrie, kërkuar dhe nga NATO, është që në vitin 2024 buxheti të jetë 2% i prodhimit të brendshëm bruto.

Po ashtu, Peleshi tregoi se stërvitja e përbashkët e NATO-s “Defender 2023”, do të ketë vend pritës Shqipërinë, si dhe shtoi se qeveria ka parashikuar të rrisë pagat e punonjësve të FA me rreth 30% më shumë se ajo aktuale.

“Buxheti i vitit 2022 është 1.3 më shumë se i vitit që lamë pas. E thënë në kuota buxheti i mbrojtjes është 32.6 mld lekë. Akoma më e madhe është rritja në zërin e investimeve, 102 % është rritja në zërin e investimeve. Siç u tha dhe siç e dimë ne kemi angazhime buxhetore në aleancën tonë në NATO. Në vitin 2024 të gjitha buxhetet të kapin shifrën e 2% të prodhimit të brendshëm bruto. Ne kemi depozituar në NATO një grafik mbi këtë ecuri. Siç e shikoni me 1.75% të GDP ne i përmbahemi angazhimit që të jemi një vend dinjitoz në NATO. E cilësoj historike e të prekshme një arritje të madhe këtë buxhet, që është rritja e pagave nga ushtari i parë te oficerët e gradave të larta. Duke pasur më shumë se 6 mijë përfitues. Është e freskët dita ku ne vlerësuam të gjithë pjesëmarrjen e efektivëve tanë, në emergjencën e jashtëzakonshme të zjarreve të gushtit. Aty kryeministri ka bërë të njohur rritjen e pagave të ushtarakëve. Ne kemi arritur në rritjen 30% të pagës, as unë nuk e prisja. Kështu që zoti kryeministër në emër të FA faleminderit.

Ne ju sigurojmë që do të ketë më shumë motivim në rekrutimet tona. Me këtë pagë dinjitoze FA do të bëhet më e angazhuar për të rinjtë. Zyrat tona të rekrutimeve nuk janë në lartësinë e duhur. 65% është rritja për modernizim. Do të investojmë edhe në pikat tona të dobëta. Në të ardhmen me këto hapësira buxhetore duhet të ndreqim disa fusha ku kemi punë për të bërë, këtu kam fjalën për gatishmërinë e forcave ajrore, fushore, duhet të gjejmë recetën e duhur për të pasur gatishmëri më të lartë e për këtë kemi aplikuar së pari një bashkëpunim me një agjenci të NATO-s për mirëmbajtjen e helikopterëve. Duam ta shtrijmë këtë praktikë që na rezulton e suksesshme në të gjitha forcat tona. Duhet të aplikojmë “smart defense” duke koordinuar burimet dhe blerjet me vendet mike, si Kosova, që është një vend i afërt me ne, jemi vëllezër e s’kemi çfarë t’i fshehim njëri-tjetrit. Unë kam bërë disa takime me homologët në rajon për të parë mundësinë e aplikimit të “smart defense”. Me shumë gjasa edhe “Defender 23” do të ketë si vend pritës Shqipërinë.

Kemi dalë me rekorde pozitive nga “Defender 21”. Mbrojtja civile është ajo që na bën më të dukshëm, na sjell më pranë komunitetit. Jetojmë në një rajon të ekspozuar nga risqet ajrore. Ndaj na duhet të jemi më të shkathët dhe koordinues. Ky buxhet e reflekton këtë ambicie. 1.1 mld do të jetë transfertë e pa kushtëzuar për bashkitë. 800 mln të tjera do të jenë në dispozicion për bashkitë. Viti 2022 do të jetë viti ku do të jetësohet një projekt i konsiderueshëm i mbështetur nga Italia në fushën e emergjencën civile, ku do të përfitojnë edhe bashkitë që do të pajisen me mjete dhe burime financiare”, tha Peleshi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *