Subscribe

Standardet e dobëta të rrugëve lidhen me fondin e ulët të investimit për to. Këtu jemi në Unazën e Re të kryeqytetit, por që ky aks të rregullohej tërësisht duhet që të ndodhin disa aksidente…
Vëmendja për të marrë masa ndaj atyre që kanë përgjegjësi për cilësinë e rrugëve në Shqipëri vjen sa herë që ndodhin aksidente. Nuk janë të pakta rastet që autoritetet kanë riparuar shumë akse pas historive të tmerrshme të humbjes së jetës së shumë personave. Spartak Tarkaj, Drejtor i Standardeve në Autoritetin Rrugor thotë që fondet për të mirëmbajtur rrugët, janë të pamjaftueshme, megjithatë në dy vitet e fundit, buxheti për to është dyfishuar. Por ndryshe nga aksi që treguam më parë, pak metra në dalje të kryeqytetit, sapo kalon rrethrrotullimin e Saukut, mbikalimi për automjetet është pa asnjë bordurë, duke rrezikuar përditë jetën e qytetarëve. Para një viti në këtë rrugë kanë humbur jetën babë e bir, e ndërsa disa javë më parë në një situatë të ngjashme në Milot makina hyri në treg me qene se nuk kishte mbrojtëse dhe rrezikoi jetën e banorëve të zonës. Flamur Mullisi, Specialist për aksidentet në Ministrinë e Transporteve thotë se në 70% të rasteve fajin e kanë drejtuesit e mjeteve dhe më pak se 7% përgjegjësia është e kushteve të rrugës. Prandaj ai thotë që fillimisht duhet të ndërgjegjësohen shoferët. Ministria e Transporteve, duke iu referuar aksidentit të ndodhur në Kavajë, thotë se janë të panumërta rastet kur pushteti vendor ka dhënë leje për të ndërtuar biznese shumë pranë rrugëve nacionale dhe ato nuk kanë aplikuar për të marrë autorizim për dalje në këtë aks pranë Autoritetit Rrugor. Edhe pse në shumë raste është kërkuar ndihma e policisë së shtetit, policia nuk ka ardhur për të bërë mbylljen e kalimeve në këto rrugë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *