Nga e diela, të gjithë qytetarët jashtë vendeve të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe ata shqiptarë, që udhëtojnë në zonën Schengen për qëndrim afatshkurtër, do të përballen me disa rregulla të reja kontrolli në kufi.
“Që nga 12 tetori do të hyjë në fuqi Sistemi i Hyrje/Daljeve. Ky është në thelb një sistem i avancuar digjital i menaxhimit të kufijve që do të regjistrojë të dhënat biometrike të shtetasve jo të BE-së, të cilët hyjnë në zonën Schengen. Ai do të regjistrojë të dhënat në dokumentin e udhëtimit. Do të regjistrojë të dhënat biometrike, pra gjurmët e gishtërinjve dhe imazhet e fytyrës, si dhe datën e hyrjes apo daljes nga vendi. Do të jetë një zbatim gradual i sistemit. Pra, një qytetar shqiptar që prej 12 tetorit, kur udhëton drejt zonës Schengen, mund të kalojë nëpër këtë sistem ku kërkohen këto të dhëna. Dhe do të duhen rreth gjashtë muaj gjithsej që të zbatohet plotësisht në të gjitha pikat kufitare të zonës Schengen. Janë gjithsej 29 vende”, tha Andre Rizzo, shef i sektorit politik në delegacionin e BE në Shqipëri.
Shefi i sektorit politik në delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri shpjegon për “Vizion Plus” se në nisje të zbatimit të sistemit të ri të kontrollit, udhëtarët mund të përballen me disa vonesa.
“Mund të ketë disa vonesa të vogla në fillim, sepse, padyshim, sistemi do të fillojë të funksionojë që nga 12 tetori, kështu që mund të ketë një vonesë në hyrje. Megjithatë, aeroportet mund ta ndalojnë përdorimin e sistemit nëse shohin se kjo po çon në vonesa të tepërta. Pra, kjo, në fillim, mund të rezultojë në disa vonesa të vogla, sepse do të duhet pak kohë për t’i mbledhur të dhënat biometrike. Por në planin afatgjatë, kjo do të çojë në një kalim më të shpejtë përmes kontrollit kufitar, pasi do të jetë shumë më e automatizuar, sepse të dhënat do të jepen vetëm njëherë. Pra, në ato raste kur do të ketë porta të automatizuara, personi mund ta kalojë shumë më shpejt pjesën e kontrollit kufitar”.
Sistemi i ri i menaxhimit të kufijve nuk do të kërkojë tarifa shtesë për udhëtarët, ndërsa qëllimi është për të modernizuar sistemin dhe për të përmirësuar mbledhjen e të dhënave.
/vizionplus.tv




