Rrëfehen krimet e Laert Haxhiut, i penduari Artan Tafani: Më dha 25 mijë euro për vrasjen e Çajup Selimit
I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, dëshmoi për herë të parë në Gjykatën e Posaçme, duke zbërthyer krime të rënda që prokuroria ia atribuon Laert Haxhiut dhe grupit të tij. Tafani, që u arrestua për grabitje me armë të një pike këmbimi valutor në zonën e Astirit në Tiranë, bashkëpunoi me SPAK për të hedhur dritë në 17 ngjarje të rënda.
Sot ai rrëfeu ekzekutimin e bujshëm të biznesmenit Çajup Selimi në Tepelenë në 2021, një porosi kjo, sipas tij, e marrë nga kreu i grupit të strukturuar kriminal, Laert Haxhiu.
“Kisha maskë covidi, një kapele, po më shikonte dhe pati si dyshim, u fut në hyrje të pallatit. Ai u ngjit kati i parë, i dytë, unë isha mbrapa tij, ishte qeros dhe unë dija dhe rrobat që kishte veshur atë ditë, të kuqe. Aty e qëllova nga mbrapa, 3 herë e shkrepa e qëllova, një herë në shpatull dhe 2 herë të tjera, por s’e di ku e kapi. Ika me vrap për nga burgu i Bënçës. Rashë në ca ferra aty si jashtë qytetit, armën e kisha me vete, Zastava ose beretë e vogël, me silenciator. S’po gjeja rrugicën që të dilja, sipas planit duhet të dilja te lumi Vjosa, ku do vinte Ligori. Për vrasjen mora 25 mijë euro pas 1 jave, kurse Ligori nuk i mori, nuk ja dha Laerti”, deklaroi penduari i drejtësisë, Artan Tafani.
Tronditëse në dëshminë e Tafanit ishte edhe vrasja makabre, vetëm një ditë më pas, edhe e Fridman Xhaferrit, që sipas tij, dikur ka shërbyer në bandën e Laert Haxhiut.
“Shkuam te shtëpia e Ligor Romaçkës, u nisëm për te rezervuari i Gjankshit, na çoi Ligori si i zonës. Laertit i pëlqeu, Lulzimin e lamë aty, shkuam dhe morëm një litar e një gomë makine, e morëm Fridmanin në makinë, po s’i thamë gjë ku do shkonim, i thamë do paketojmë hashash. Sa mbërritëm, Laerti i thotë Fridmanit: “Po qysh ishte ai muhabet që ke thënë do flas po s’më nxorrët nga burgu?” Ai tha jo, qante i shkreti, lutej, “o Marius”, më thoshte, “thuaj të më falë.” Gjuajti një herë Lulzimi me e kap në kokë, ai luajti kokën, pastaj Laerti i tha Lulzimit: “Vrite.” I gjuajti mbrapa kokës, po ai lëvizte akoma, merrte frymë akoma. Pastaj i ramë me atë gomën, e lidhën dhe e futën në rezervuar, i lidhën trupin edhe me gomë që ta fundoste në ujë, njëherë e nxorri në sipërfaqe, pastaj e lidhën me gurë e hodhën brenda.”
Laert Haxhiu u ekstradua nga Greqia në korrik të vitit të shkuar. Ai cilësohet si një ndër njerëzit më të rrezikshëm në vend.
/vizionplus.tv




