Subscribe

Një rokadë e madhe ka tronditur pasditen e së premtes gjithë administratën që mbledh të ardhurat në buxhetin e shtetit. Drejtorja më e sulmuar mediatikisht, ajo e tatimeve Briseda Shehaj është larguar nga kjo detyrë pas tre viteve për të shkuar në postin e zv/ministres së ekonomisë. Burime për Vizion Plus thonë se në krye të tatimeve tashmë do të jetë Vasilika Vjero, e cila në tre vitet e fundit ka drejtuar Qendrën Kombëtare të Biznesit. Por lëvizjet në administratë nuk përfundojnë me kaq, ato kanë prekur edhe drejtoren e doganave, Pranvera Fagu, e cila pas 1 viti në krye të këtij institucioni do të shkojë të drejtojë Qendrën Kombëtare të Biznesit. Vendin e Pranvera Fagut, e zëvendëson një figurë jo e njohur për publikun deri tani, Belinda Ikonomi, ajo ka qenë prej vitesh këshilltare e kryeministrit Rama, ku burimet thonë se posti i ri iu besua për shkak të aftësive të saj teknike në fushën e administrimit doganor. Zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj, do të shkojë tashmë për të këshilluar kryeministrin për ekonominë. Në vend të Znj.Beqiraj rikthehet në këtë detyrë Ervin Mete, i cili u largua një vit e gjysmë më parë me kërkesë të ish-ministrit Shkëlqim Cani. Mësohet se qeveria ka menduar për këtë riorganizim në mënyrë që të rritë përformancën e institucioneve tatimore. Burimet për Vizion Plus konfirmojnë se shkaku i gjithë kësaj rokade nuk ka të bëjë me ecurinë e mbledhjes së të ardhurave, por me shpërblimin e punonjësve të cilët kanë performuar më mirë në këto vite dhe provimin e tyre me sfida të reja.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *