Subscribe

Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka vendosur të ndryshojë statutin për të përmbyllur procesin e bashkimit me grupin e deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi. Për të shmangur procesin e votimit nga një këshill kombëtar, i cili përfshin njerëzit që mbështetën Berishën në betejën kundër Bashës prej shtatorit të vitit 2021, lideri i opozitës Berisha ka zgjedhur formulën që për shkak të posteve që deputetët mbajnë të jenë pjesë e kryesisë dhe Gazment Bardhi e Agron Gjekmarkaj të bëhen nënkryetarë të partisë.

“Ndryshimi ne statut, në rast se pas përcaktimit të përbërjes së Kryesisë së PDSH, deputetë anëtarë të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PDSH, nuk rezultojnë anëtarë të saj, këta te fundit kooptohen me vendin Kryesie.”

“Në rast se pas zgjedhjes së nënkryetarëve, rezulton se kryetari i grupit parlamentar të PD-së dhe sipas rastit Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë nuk janë fitues sipas kësaj procedure, atëherë ata automatikisht konsiderohen nënkryetarë të partisë për shkak të funksionit.”

Rrjedhimisht në strukturat drejtuese të PD hyjnë Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Jorida Tabaku e 5 deputetë të grupit Bardhi ndërkohë që pjesë e kryesisë është edhe Tomorr Alizoti, i cili prej kohesh njeh Sali Berishën si kryetar. Argumenti kryesor i PD për katapultimin në strukturat drejtuese të grupit Bardhi pa votim, është për hir të bashkimit. Por kjo zgjedhje politike bie në kundërshtim me çfarë Sali Berisha deklaronte e premtoi në vjeshtën e vitit 2021 kur nisi betejën kundër Lulzim Bashës dhe lëvizjen “Foltorja”.

“Ne duhet te bashkohemi tek vota. Ky mekanizem na ka shpëtuar ne.”

Prej vitit 2022 Sali Berisha ka bërë disa hapa në kurriz të parimit të votës e për hir të bashkimit. Në kuvendin e 30 prillit të vitit 2022 Berisha ndryshoi statutin, duke vendosur që çdo deputet i PD është anëtar i këshillit kombëtar, për t’i dhënë kështu mundësinë çdo deputeti kritik me të të kishte vendin e tij në një prej strukturave drejtuese të PD.

Në dhjetorin e vitit 2023 Berisha bëri një tjetër lëvizje, kuvendi i mbledhur në 2 dhjetor vendosi që statuti mund të ndryshohet edhe nga këshilli kombëtar, duke krijuar kushtet për bashkimin e plotë me grupin e Gazment Bardhit e që do të zbatohet për herë të parë nesër. Të martën PD e drejtuar nga Sali Berisha do të mbledhë kryesinë e më pas këshillin kombëtar dhe në mbrëmje PD do të jetë me 4 nënkryetarë; Gazment Bardhin, Agron Gjekmarkajn, Oerd Bylykbashin e Luçiano Boçin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *