Subscribe

Pas presionit të ndërkombëtarëve lidhur me shqetësimet ndaj draftit të amnistisë, qeveria nuk ka një afat se kur do ta miratojë. Ministrja e financave Delina Ibrahimaj tha se pas konsultimeve, drafti do të rishikohet me fokus  propozimet e ofruara nga palët e interesit, duke qartësuar pikëpyetjet që shoqërojnë proçesin e zbatimit të tij.

 

“Ne jemi në fazë konsultimesh. Se kur do të përfundojnë këto konsultime nuk kam ende një afat. Ajo që po bëjmë është që ligji por edhe aktet nënligjore që po përgatisimin të japin garancinë e duhur dhe të arrijnë qëllimin pse po e ndërmarim këtë nismë”

 

 

Duke folur për mediat, ministrja tha se nuk do të heqë dorë nga mekanizimi kontrollit të çmimeve nëpërmjet bordit. Sipas Ibrahimajt, bordi po mbron interesin publik dhe se marxhet e fitimeve të kompanive janë ulur ndjeshëm gjatë këtij viti.

 

“Sa i përket besueshmërisë së bordit ju them me bindje, se bordi i qëndron në mënyrë rigoroze formulës së miratuar në akt normativ. Çdo çmim reflekton tendencën e bursës, konkretisht naftës së përpunuar. Unë kam bindjen e bazuar me shifra, që marxhet e fitimit të kompanive të hidrokarbureve janë ulur ndjeshëm që pas funksionimit të bordit. Do të vijojmë me këtë regjim për sa kohë  çmimet e këtij produkti janë mbi mesataren dhe se do të mbrojmë interesin publik.”

 

Por ministria e financave, prej kohësh po punon për një mënyrë të re taksimi të pronës. Aktualisht taksa e pronës llogaritet me çmimet referencë sipas zonave, ndërsa ministria synon ta kthejë me çmim tregu. Por kur do të jetë gati kjo nisëm?

 

“Në vitin 2023 nuk do të ketë mënyrë të re të taksimit të pronës. Ne jemi duke punuar për metodologjinë e cmimeve të cilën ende nuk e kemi gati. Por një nga propozimet mbi të cilat po punojnë është që taska të aplikohet mbi çmimin e tregut dhe jo me çmim referencë si aktualisht. Për sa kohë skemi ende metodologjinë gati, smund të aplikojmë sistem të ri takse”- u shpreh Ibrahimaj.

 

Ministrja bëri një panoramë të situatës ekonomike, sipas të cilës, këtë vit ekonomia do të rritet sipas parashikimeve në nivelin e 3%, duke i rezistuar efekteve të krizës së çmimeve në tërësi dhe energjisë në veçanti.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *