Subscribe

Në muajin korrik qeveria do të rishikojë buxhetin, por këtë herë jo për shkurtim të fondeve, por për t’i rishpërndarë ato. Ka qenë vetë ministri i financave Arben Ahmetaj, i cili tha se të ardhurat në 5 muajt e parë të vitit vijojnë të jenë me rritje, duke e cilësuar këtë periudhë si “pranverën e kapërcimit të krizës ekonomike’. Por çfarë do të ndodhë me buxhetin e 2016-ës? Ndryshe nga përmirësimet që ka patur në realizimin e të ardhurave në buxhet, ecuria e shpenzimeve ka qenë e dobët. Vetë ministri pranoi se disa vepra publike janë bllokuar për shkak të problemeve me firmat kontraktore. Por a do të ketë një rritje të pagave dhe pensioneve me këto fonde që po teprojnë? Vizion Plus ka mësuar se qeveria ka një skenar për të rritur pensionet, por ky vendim do të merret pas vizitës së fondit në qershor. Kreu i financave dha një përgjigje elegante për këtë lajm: Lajme të mira do të vijnë por nuk vijnë të gjitha në një ditë. Edhe pse në deklaratën e fundit të bordit ekzekutiv të FMN-së pati lavdërime për punën e qeverisë, përfaqësuesi i këtij misioni në Shqipëri kritikoi sjelljen e tatimeve me biznesin.

“Kur unë flas me sektorin privat nuk më duket sikur janë shumë në humor për të shijuar ndonjë gjë pozitive dhe kjo është në kontradiktë me shifrat të cilat tregojnë në ecuri pozitive. Biznesi nuk ka një përmirësim të perceptimit dhe një pengesat për të janë tatimet. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si administrata tatimore sillet me biznesin. Kur unë flas me ta, më thonë se komunikimi i tatimeve është ndëshkues, jo i njëjtë nga një biznes me tjetrin dhe nuk ka konsistencë”.

FMN i vijon qëndrimit që qeveria duhet të jetë më e shtrënguar në aspektin fiskal. Edhe pse pozitive, ulja e taksave nuk i rekomandohet aktualisht Shqipërisë, në një kohë që biznesi ka tre vite që kërkon këtë lehtësim.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *