Pas pretendimeve për manipulime në zgjedhjet e 14 shkurtit, mundësia e rinumërimit total të votave në Kosovë, mbetet një çështje e hapur. Kjo do të shtynte afatin e certifikimit të rezultatit zgjedhor e rrjedhimisht edhe formimin e institucioneve të reja.
Gjykata supreme pritet të thotë fjalën e fundit brenda pak orësh ndërsa deri më tani ka refuzuar 9 nga 15 ankesat e parashtruara.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi shprehet se duhet pritur vendimi i plotë për të proceduar më tej.
VALMIR ELEZI
KRYETAR I KQZ, KOSOVE
“Për të certifikuar rezultatin përfundimtar të procesit zgjedhor, KQZ është në fazën që duhet të zbatojë vendimet që dalin nga PZAP dhe Gjykata Supreme. Nga këto dy institucione kandidatët që janë të pakënaqur me rezultatin përfundimtar të KQZ-së mund të parashtrojnë ankesat e tyre. Natyrisht që KQZ-ja zbaton vendimet e këtyre institucioneve. Në zbatimin e këtyre vendimeve, KQZ-ja procedon tutje për të certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe për të përmbyllur procesin zgjedhor”.
Ndërkohë, Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për drejtësi vëren se Supremja mund të adresojë rinumërim vetëm në vendvotime të caktuara.
“Në Gjykatën Supreme nuk e shohim këtë rrezik që të dërgohet vendi në një rinumërim të tërësishëm. Më shumë besojmë se do të jetë një adresim i ankesave individuale të kandidatëve rreth vendvotimeve ku pretendohet se të njëjtëve i është devijuar rezultati dhe përkatësisht janë dëmtuar në favor të kandidatëve të tjerë”.
Në zgjedhjet e vitit 2019 rreth 90% e vendvotimeve u rinumëruan dhe kjo bëri që procesi nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim, të përmbyllet brenda 53 ditëve.