“Rinumërim votave të kandidatëve”, PD deklaron se hapja e kutive do të nxjerrë në dritë shkeljet e pretenduara
Partia Demokratike do të kërkojë në KQZ hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave për të gjithë kandidatët e saj që kanë pretendime për parregullsi gjatë procesit të numërimit. Sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso, sqaron se Kodi Zgjedhor nuk u njeh kandidatëve të drejtën për t’u ankuar në KQZ e për të rinumëruar votat; ndaj këtë hap do ta hedhë në emër të tyre PD.
Sipas Ivi Kasos, PD së pari do të kërkojë në KQZ pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre në 12 qarqet e vendit dhe më pas do të kërkojë edhe hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave për secilin kandidat që kërkon transparencë.
“Janë udhëzuar të gjithë kandidatët, sikurse është udhëzuar edhe ekipi ligjor që përfaqëson PD në KQZ, që çdo kërkesë nga secili kandidat që përfshin: kërkesë për marrje filmimesh, mbështetje ligjore të çfarëdolloji, kërkesë për rinumërim, rivlerësim votash të subjektit ose të kandidatit në qendra të caktuara, në zona administrimi zgjedhor të caktuara, por edhe në qarqe të caktuara, do të merret në konsideratë.”, tha Ivi Kaso.
Kaso deklaron se opozita do të kërkojë jo vetëm rinumërimin e votave për kandidatët e PD, por edhe për kandidatët e PS dhe partive të tjera.
“Të gjitha kërkesat e kandidatëve tanë do të mbështeten plotësisht. Më pas, transparenca mbi kërkesat e kandidatëve tanë do të pasjellë transparencën mbi çdo votë të numëruar për secilin kandidat që ka qenë në garë në atë njësi ose zonë.”
Pas betejës së PS në vitin 2009 për hapjen e kutive, rinumërimi i votave ligjërisht është i garantuar të paktën për dy partitë e mëdha. Nëse KQZ rrëzon kërkesën e PD për hapjen e kutive, atëherë opozita mund të përdorë nenin e Kodit Zgjedhor që u jep të drejtë dy anëtarëve të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve që të hapin këdo kuti votimi. Dhe PD ka dy anëtarë në KAS, duke e pasur të garantuar të drejtën për të rinumëruar çdo kuti që dëshiron në çdo qark të vendit.
/vizionplus.tv




