Subscribe

Shkolla e re e rindërtuar “Hoxha Tahsin” do të çelë dyert për një mijë nxënës në shtator. Ajo është e para ndër 20 shkollat e reja që Bashkia e Tiranës do të ndërtojë në kryeqytet, falë planit për shmangien e mësimit me dy turne. Ndërkaq, në shtator pritet të hapin dyert edhe 3 shkolla të reja.

 

“Hapja e një shkolle është një gëzim i madh për çdo komunitet. Në Tiranë kemi dy mundësi: O merremi me llafe, o me punë. Ndërtimi i kësaj shkolle është një punë konkrete, e cila ka filluar në më pak se një vit. Do ta mbarojmë në kohë rekord, kemi edhe 3 javë për t’i dhënë dorën e fundit sistemimit të klasave dhe “Hoxha Tahsin” do të jetë padyshim shkolla e parë e 20 shkollave të reja që do të ndërtojmë në Tiranë. Duke filluar nga muaji shtator do të hapim shkollat ‘Hoxha Tahsin’, ‘Betim Muço’ në Kombinat, ‘Ardian Klosi’ te Bregu i Lumit dhe aktualisht janë hedhur themelet e shkollës ‘Kosova’. Besoj se vetëm kështu ecën përpara Tirana. Sigurisht, Roma nuk u ndërtua në një ditë, as Tirana nuk ndërtohet në një ditë, por parimi është ‘çdo ditë një punë konkrete’. Për sa kohë që vazhdojmë me këtë ritëm, besoj se deri në fund të këtij mandati do të kemi mbaruar me 20 shkollat dhe do të kemi për herë të parë të hequr nga zhargoni i diskutimit publik mësimdhënien me dy turne.”

 

Kryebashkiaku u bëri thirrje prindërve të Njësisë Nr.2 që të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën e re, e cila do të ketë jo vetëm mjedise më të mira studimi, por njëkohësisht edhe më pak nxënës në klasa, duke rritur cilësinë e mësimdhënies.

 

“Aktualisht kemi disa shkolla të mbingarkuara edhe në Njësinë 2, në Njësinë 8, në gjithë zonën rreth “Pazarit të Ri”, ku janë me dy turne “Fan Noli” dhe Shkolla e Kuqe. Thirrja që kam për të gjithë prindërit, është që kemi një hapësirë fantastike për të bërë regjistrime në shkollën e re “Hoxha Tahsin”. Regjistrimet në shkollën e re tashmë kanë filluar, duke filluar nga data 1 shtator bëhen zyrtare. Kemi mjaftueshëm hapësirë edhe për të çliruar turnin e dytë nga “Fan Noli” dhe Shkolla e Kuqe, ndaj kërkesa ime për gjithë komunitetin është të fokusohen te kjo shkollë. Kjo është një shkollë që ka 20 klasa, 6 laboratorë, 4 kate, palestër dhe të gjitha nevojat bazike për të pasur një hapësirë dinjitoze për mësimdhënien”.

 

Shkolla do të ketë 4 kate, dhe do te jete e pajisur me të gjitha ambientet e domosdoshme mësimore, si laboratorë dhe palestra. Gjithashtu, shkolla do të ketë edhe një terren sportiv të jashtëm.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *