Subscribe

Një ditë pas atentatit të trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës policia është rikthyer në vendngjarje për të rindërtuar edhe njëherë skenën dhe dinamikën e ngjarjes.

 

Ndërkohë janë sekuestruar të gjitha kamerat e sigurisë të bizneseve rreth zonës  me qëllim identifikimin e  lëvizjeve të automjeteve të dyshimta.

 

Kjo, pasi hetuesit kanë dyshime se një makinë i ka ndjekur nga Rinasi viktimat Diklen Vata, Besmir Hoxha e Brilant Martinaj.

 

Më pas i njëjti automjet ka bërë të mundur largimin e autorëve nga zona.

 

Në vendngjarje hetuesit gjetën më shumë se 80 gëzhoja të qëlluara nga dy kallashnikovë dhe një automatik i llojit “MP5”, kalibër i rëndë që përdoret nga Garda dhe Forcat e Armatosura. Si pasojë e të shtënave mjeti tip “Volsvagen Passat” që po lëviznin tre të rinjtë u përfshi më pas nga flakët.

 

Burime pranë grupit hetimor thanë se u shoqëruan më shumë se 20 persona, të cilët pasi dhanë dëshmitë u lanë të lirë.

 

Ndërkohë janë shpallur në kërkim disa të tjerë nga zona e Fushë-Krujës, pasi gjatë kontrolleve të policisë nuk u gjetën në banesa.

 

Ata dyshohet se mund të kenë dijeni për krimin.

 

Pistat ku po hetohet është ajo e hakmarrjes dhe përplasjes mes grupeve kriminale. Objekt i sulmit mendohet të ketë qenë 23-vjeçari Brilant Martinaj

 

Ky i fundit është djali i xhaxhait i Ervis Martinajt, i cili është në kërkim pas dëshmisë së dhënë nga Nuredin Dumani, si i përfshirë në disa ngjarje.

 

Brilant Martinaj ka qenë i dyshuar për vrasjen e ish-efektivit të FNSH, Xhulio Prela, por më pas u la i lirë. Ai mendohet se ka qenë i përfshirë edhe në vrasjen e ish-policit Xhelal Reçi në Laç.

 

Ndërsa viktima tjetër 30-vjeçari Diklen Vata, në vitin 2017 ishte arrestuar për shpërndarje kokaine në doza të vogla.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *