Shkolla 9-vjeçare “Edith Durham” në Tiranë po rindërtohet për të përmirësuar kushtet e mësimit për nxënësit. Sipas kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj, ndërtesa e re pritet të jetë gati për vitin e ardhshëm shkollor.
“Nëse e gjithë Tirana po modernizohet, kishte ardhur koha që të modernizoheshin edhe shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Njësisë 5. Tani na ka mbetur vetëm “Petro Nini Luarasi”, puna për të cilin nis vitin tjetër, pas një diskutimi që do të bëjmë me komunitetin. Por, së pari, dua mirëkuptimin e prindërve. Do mundohemi që ta mbarojmë për 9 muaj dhe të jemi gati shtatorin tjetër. Por, nuk mund të hapet një kantier, ngjitur me një kantier tjetër. Duhet të mbaronte shkolla “Emin Duraku”, që të kishim mundësi ta përdornim si shkollë mbështetëse teksa mbarojmë “Edith Durham”, tha kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Duke u ndalur te projekti Veliaj shtoi se shkolla e re do të ndërtohet me katër kate dhe do të jetë e aksesueshme përmes ashensorit, duke lehtësuar edhe lëvizjen për fëmijët me aftësi të veçanta.
“Në qoftë se më përpara aksesi për fëmijët me aftësi të veçantë ka qenë i vështirë, ne do të krijojmë të gjitha mundësitë që, nga fëmija më i vogël në parashkollor, deri tek ai që mbaron 9-vjeçaren, të mos mungojë asgjë, si dhe të kenë një mjedis të sigurt në shkollë”, tha Veliaj.
Një hapësirë e veçantë, theksoi Veliaj, do të jetë palestra e shkollës, e cila do të jetë në dispozicion jo vetëm për nxënësit, por edhe për banorët e Njësisë 5.