Lideri i opozitës, Lulzim Basha nga Durrësi ka premtuar përshpejtimin e procesit të rindërtimit të banesave të dëmtuara gjatë tërmetit tragjik të 26 nëntorit.

 

Gjatë një takimi me familje të cilat kanë humbur shtëpitë si pasojë e tërmetit, Basha ka deklaruar se fondet e dhëna nga komuniteti ndërkombëtar në Konferencën e Donatorëve janë bllokuar si pasojë e korrupsionit të qeverisë Rama.

 

“Siç e keni vënë re dhe ju nga Konferenca e Donatorëve, deri më sot lëvrimi i fondeve ka qenë pothuajse inekzistent, arsyeja për këtë është fare e thjeshtë, nuk kalojnë muaj pa u botuar raportet ndërkombëtare që e cilësojnë qeverinë e Edi Ramës më të korruptuarën në botë. Pra thënë me dy fjalë: korrupsioni i kësaj qeverie po i ndëshkon durrsakët dhe zonat e goditura nga tërmeti dyfishë.”

 

Basha ka theksuar se lëvrimi i këtyre fondeve do të varet nga rezultati i 25 prillit, duke shpjeguar se PD ka ngritur nje grup, i cili si detyrë të parë ka të bëjë gati planet për rindërtimin.

 

“Dhe së dyti garantimet që fondet që janë zotuar se do t’i japin Shqipërisë të lëvrohen dhe këto nuk do të lëvrohen pa ardhur ndryshimi. Nuk do të ketë ndryshim në Shqipëri dhe nuk do të ketë asnjë fije ndryshim në procesin e rindërtimit, pa u larguar kjo qeveri dhe ky Kryeministër.”

 

Nga ana tjetër, Basha ka premtuar se çdo shkelje në këtë proces do të hetohet.

 

“Parlamentarët tanë nga Durrësi, parlamentarët tuaj në Parlament që në këtë moment që janë kandidatë, më kanë kërkuar dhe kanë nisur formulimin për të hedhur hapat që janë në tagrin e parlamentarëve për të hetuar në nivel parlamentar por edhe në nivel penal të gjitha abuzimet që janë bërë deri më sot me rindërtimin.”

 

Gjate vizitës në qytetin bregdetar, Basha zhvilloi një takim edhe me Shoqatën “Durrësi”, të cilëve iu ka premtuar zgjidhjen e problematikës së pronës.

 

“Të garantojmë nderimin dhe respektimin dhe shenjtërimin e pronës dhe përdorimin apo zhvillimin e saj vetëm në dobi dhe në funksion të pronarëve të ligjshëm, duke e zhbërë si fillim ligjin e shpronësimit të dytë që është një angazhim që ne e kemi marrë edhe para shoqatave të pronarëve.”

 

Basha ka premtuar se në rast të një fitore në 25 prill, PD do të investojë në Durrës me fokus trashëgiminë kulturore dhe turizmin.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *