Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar të martën një takim me përfaqësuesit e operatorëve dhe agjencive turistike kryesore në vend, të cilët ngritën shqetësimin për krizën ku ndodhet ky sektor.

Kreu i shtetit tha se sezoni i ri turistik në vend parashikohet tejet i vështirë, pasi shumica e prenotimeve janë anuluar duke vënë në rrezik mbijetesën e këtij sektori.

Meta e konsideron të nevojshme krijimin e një plani konkret dhe të prekshëm në mbështetje të turizmit, në mënyrë që sektori të rimëkëmbet shpejt.

“Veç humbjeve gjatë periudhës së karantinës, shumica e prenotimeve janë anuluar duke vënë në rrezik mbijetesën e këtij sektori tepër të rëndësishëm për ekonominë familjare dhe kombëtare. Shqetësimi i thellë për krizën e rëndë ku ndodhet ky sektor m’u shpreh sot edhe në takimin që zhvillova me përfaqësuesit e operatorëve dhe agjencive turistike kryesore në vend. Nevojitet qartësi, solidaritet gjithëpërfshirës kombëtar, një plan konkret dhe i prekshëm në mbështetje të turizmit, që dëmi i shkaktuar nga pandemia COVID-19 të jetë sa më minimal dhe që ky sektor të rimëkëmbet shpejt, në mënyrë që familjet e bizneset shqiptare të cilat të ardhurat i kanë nga turizmi, të përfitojnë sa më shumë gjatë këtij sezoni.”

Me rifillimin e fluturimeve dhe hapjen e kufijve tokësorë, Meta bëri thirrje që të mbështetet turizmi vendas dhe ato familje shqiptare që “mbahen gjatë vitit nga sezoni turistik”.

“Për këtë është e rëndësishme të caktohen protokolle të veçanta të sigurisë shëndetësore të përshtatura për vendqëndrimet, mjetet e transportit, hotelet, bregdetin, dhe zonat e tjera që vizitohen dhe ku pushojnë turistët.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *