Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, gjatë inspektimit të rikualifikimit të lagjes së Thesarit, i bëri thirrje fëmijëve të shkollave në zonën e Freskut të ndjekin kurset falas të Qendrës Tumo.
“Unë dua t’ju ftoj që fëmijët e Freskut dhe të gjithë zonave periferike të Tiranës të përfitojnë nga të njëjtat të mira që po përfitojnë fëmijët e qendrës. Nxënësit më të mirë të shkollave “Klodian Tanushi”, “Luan Hajdaraga” apo të shkollës së re në Surrel, s’kanë asnjë arsye pse të mos shkojnë te Qendra Tumo, të marrin kurse falas, të cilat paguhen 100% nga Bashkia e Tiranës”, tha Veliaj.
Veliaj njoftoi gjithashtu masa të reja sociale, përfshirë abonetë falas për pensionistët dhe ushqimin falas për nxënësit nga shtatori i ardhshëm.
“Siç po përfiton 70% që jeton në Tiranën urbane, edhe ky 30% në Tiranën rurale duhet të ketë të njëjtin shans. Në finale të fitojë më i miri por startin ta kenë të gjithë të barabartë”, tha kryebashkiaku.
Përmes këtyre projekteve Veliaj tha se Bashkia e Tiranës synon të krijojë kushte të barabarta për zhvillimin dhe arsimimin e çdo fëmije./vizionplus.tv





