Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati duket se i ka gjetur vetes një ‘punë të re’ duke u rikthyer në vëmendje të  publikut.

 

 

Ditën e sotme, Bushati ka prezantuar nismën e fundit, Public Square (Sheshi Publik), një hapsirë virtuale, për të komunikuar me qytetarët.

 

 

Në këtë hapsirë do të komunikohet nëpërmjet rrjeteve sociale dhe do të diskutohet për çështje me interes të lartë publik që meritojnë vëmendje të posaçme.

 

Ish ministri socialist, Ditmir Bushati aktualisht mban detyrën si anëtar kryesie në Partinë Socialiste.

 

Një detyrë të cilën duket se e ka neglizhuar pasi prej muajsh, Bushati nuk është i pranishëm në mbledhje.

 

Bushati është një nga socialistët që Rama nuk e kandidoi për deputet në  zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

 

 

Në atë kohë, Rama deklaroi se Bushati i kishte zbritur trenit të PS dhe se nuk e kishte punuar mirë tokën por pas disa muajsh, Bushati u rikthye sërish në familjen socialiste duke u zgjedhur si një nga anëtarët e kryesisë së saj.

 

 

Që nga ajo kohë Bushati nuk mban asnjë detyrë tjetër në Partinë Socialiste.

 

 

Tema e parë që Bushati ka zgjedhur për takimin e parë me qytetarët përmes rrjeteve sociale është ‘Integrimi’.

 

 

“Public Square

 

Public Square është nisma më e fundit e ish-Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati. Public Square është një hapësirë virtuale komunikimi dhe ndërveprimi për çështje me interes publik dhe që meritojnë vëmendje të posaçme.

 

Kjo nismë do të zhvillohet përmes rrjeteve sociale në të cilën ish-ministri ka zgjedhur të komunikojë në lidhje me zhvillimet kryesore politike, që kanë nevojë për një shtjellim më të thelluar. Bushati ka zgjedhur të flasë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, i cili sipas tij, shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes europiane.

 

 “Sot do të flasim për atë që duhet të ishtë ngjarja më e rëndësishme e vitit jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete”, thotë Bushati, që në nisje të këtij Podacasti.

 

Për ish-ministrin e jashtëm, megjithëse nisja e bisedimeve është një moment i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe kurorëzim i përpjekjeve të mijëra kontributorëve, paradoksalisht ndjehet njëfare apatie dhe lodhje nga ky proces. Më tej ai e krahason rrugën e Shqipërisë drejt BE-së me një rrugë të thepisur.

 

Sipas Bushatit, “Zgjedhja para nesh është e qartë: reformim dhe anëtarësim në BE, që do të thotë mirëqënie, ose zvarritje dhe pranimi i tranzicionit si një gjendje e përhershme”.

 

Në këtë Podcast, Bushati flet për nevojën e një platforme sa më përbashkuese për këtë proces, për identifikimin e interesit të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, për përcaktimin e avantazheve të krahasuara, për ruajtjen e pasurisë publike, përfshirjen reale të diasporës, për nevojën e një shërbimi publik, për reformimin e universiteteve dhe kërkimit shkencor, për suksesin që duhet të vijë përmes inovacionit dhe marrjes përsipër të riskut, për konkurrencën e ndershme dhe respektimin e të drejtave dhe lirive politike.

 

Për Bushatin, “Mbi të gjitha, potenciali i brezit të ri duhet vendosur në shërbim te vendit, pasi Shqipëria Europiane duhet të hedhë mbas krahëve ngjarjet e trishtueshme të Otrantos së djeshme, apo të Le Manshit të sotshëm”.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *