Subscribe

Një muaj para regjistrimit të kandidatëve për zgjedhjet lokale, parlamenti ka rihapur sot debatin për ndalimin e futjes në politikë të anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit.

 

Komisioni i ligjeve ka nisur shqyrtimin e 4 propozimeve, që synojnë të përjashtojnë nga parlamenti, qeveria dhe partitë politike, të gjithë ata që kanë qenë anëtarë, apo kanë shërbyer si informatorë për ish-sigurimin e shtetit. Dy prej këtyre propozimeve janë hartuar nga Partia Socialiste, një nga Enkelejd Alibeaj dhe një nga Partia Demokratike, e drejtuar nga Sali Berisha.

 

ERMONELA FELAJ

 

DEPUTETE, PS

 

“Nëse ka një moment që i sherben sigurimit të paqes sociale dhe qetësisë së atyre që u goditën rëndë nga ish-regjimi, është pikërisht ky moment që ne realizojmë me këto ndërhyrje.”

 

ENKELEJD ALIBEAJ

 

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PD

 

“Ligje si hapja e dosjeve dhe lustracioni s’duhet të kthehen në luftë politike ndaj kundërshtarëve.”

 

Socialistët propozojnë ndryshime në ligjin e dekriminalizimit, në mënyrë që të gjithë ata që kanë qenë anëtarë apo bashkëpunëtorë te ish-sigurimit të shtetit, të mos lejohen të kandidojnë për pushtetin lokal, apo për të qenë pjesë e parlamentit, të mos jenë pjesë e qeverisë, dhe as e sistemit të drejtësisë apo policisë së shtetit. Gjithashtu PS ka ndryshuar ligjin për partitë, në mënyrë që bashkëpunëtorët e ish-sigurimit, të mos kenë mundësi të drejtojnë një forcë politike.

 

Dy grupimet e Partisë Demokratike në thelb kane të njëjtin propozim, një ligj të ri lustracioni, i cili nuk prek vetëm anëtarët dhe bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Sipas këtyre propozimeve edhe anëtarët e byrosë politike, të komitetit qendror, presidiumit të kuvendit, komisioni i internimeve, gjyqtaret e prokuroret nuk mund të bëhen pjesë as e politikes dhe as e institucioneve shtetërore.

 

Nisma për të bërë lustracion në politikë, u iniciua fillimisht nga Partia Socialiste në verë, pasi autoriteti për hapjen e dosjeve i dërgoi një letër kuvendit, ku sqaronte se ish-presidenti i republikës, Ilir Meta, ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit. Vetë Meta i hodhi poshtë akuzat, dhe paditi në prokurori autoritetin.

 

Mazhoranca së bashku me deputetët e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, vitin e kaluar ndryshoi ligjin për dosjet, duke lejuar autoritetin të verifikojë politikanët që e kishin kaluar vetingun në lidhje me ish-sigurimin e shtetit, një ndryshim që prek Ilir Metën.

 

Nga ana tjetër, opozita vazhdimisht ka akuzuar Partinë Socialiste se edhe ndryshimet që lidhen me lustracionin, i ka propozuar me qëllim nxjerrjen jashtë politike të Ilir Metës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *