Ndërkohë që në Tiranë zhvillohej samiti i BE me Ballkanin Perëndimor, mes të cilëve ishin edhe liderët e Kosovës dhe Serbisë, situata në veri të Mitrovicës është tensionuar sërish. Policia e Kosovës konfirmoi incidentet në zyrat e Komisonit të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok ku janë thyer disa xhama si dhe ka pasur shpërthime dhe gjuajte me armë.

 

Për incidentet kanë reaguar nga Tirana edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Osmani tha se bandat kriminale të mbështetura nga Beogradi po krijonin tensione.

 

 

PRESIDENTJA E KOSOVËS

VJOSA OSMANI

Situata në veri eskalon sepse bandat kriminale të përkrahura nga Vuçiç kanë për qëllim eskalim të situatës dhe destabilizim të Ballkanit Perëndimor. Duhet të bëjmë çmos që përmes institucioneve të sigurisë të vendosim rend dhe ligj, por edhe të mbrojmë jetën e secilit qytetar.
Osmani konfirmoi edhe versionin e ri të propozimit franko-gjerman, por tha se do të njohet me të në mënyrë institucionale dhe se sot në samit nuk ishte diskutuar për atë.

 

Ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç i quajti inscidentet në veri në zyrat e komisionit të zgjedhjeve komunare si provokime të pales kosovare.

 

 

ALEKSANDËR VUÇIÇ
PRESIDENTI I SERBISË

Sot përsëri, në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit dhe gjithçka që ishte rënë dakord, ata dërguan policinë të armatosur deri në dhëmbë në veri. Është mirë që nuk kemi asnjë viktimë. Nuk e kuptoj pse duan të krijojnë tensione çdo javë. Çdo provikim i ri mund të prishë stabilitetin dhe paqen. Për ne është e rëndësishme të qëndrojmë me popullin tonë në Kosovë, por është gjithashtu e rëndësishme të pajtohemi me shqiptarët për gjithçka që është e mundur që të ruhet paqja.

 

Vuçiç foli edhe për versionin e ri të planit franko-gjerman dhe tha se nuk e kanë përmbushur atë që Serbia ka kërkuar. Gjithsesi kreu i shtetit serb pohoi se Beogradi është i gatshëm për një zgjidhje kompromisi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *