E diela ka rikthyer motin e paqëndrueshëm në veri të vendit!

Reshjet e shiut në zonat e ulëta dhe dëbora në ato malore, krijuan probleme në disa njësi të qarkut Shkodër. Më problematike gjendja u paraqit në akset që lidhin Tamarën me Vermoshin dhe Bogën me Qafën e Thores dhe Thethin, ku dëbora dhe ngricat vështirësuan qarkullimin e automjeteve.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri me dije se drejt këtyre zonave firmat e kontraktuara po punojmë me fadroma për hapjen e rrugëve dhe kriposjen e tyre, me qëllim që të mos ketë bllokim të akseve në fjalë që lidhin zonat turistike me Malësinë e Madhe dhe Shkodrën.

Rruga drejt Thethit ka rezultuar më problematikja, si pasojë e rrëshqitjeve në segmente të caktuara që krijon prezenca e dëborës dhe ngricave.

Drejtuesit e automjeteve janë këshilluar të përdorin gomat dimërore dhe zinxhirët. Ndërsa defekteve dhe ndërprerjeve të energjisë elektrike nuk i kanë shpëtuar shumë fshatra të Malësisë së Madhe dhe Dukagjinit./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *