Dëbora ka përfshirë gjithë juglindjen dhe veriun e vendit e shoqëruar me erë të fortë dhe stuhi duke sjellë probleme të shumta, kryesisht në zonat malore por dhe ato rurale ku trashësia e dëborës në zonat malore ka shkuar deri në 1 metër.
Në juglindje 34 mjete borëpastruese janë në terren për të mbajtur të hapura gjithë akset nacionale.
Për shkak të erës së fortë ka shtylla të rrëzuara të tensionit të ulët e të mesem duke lënë pa energji elektrike mbi 1000 familje, ndërsa 11 grupe të OSSHE janë në terren për të rikthyer energjinë.
Në akset nacionale janë në patrullim 5 grupe të sektorit të qarkullimit rrugor të cilët u kërkojnë drejtuesve të mjeteve të jenë të pajisur me goma dimërore dhe nga ana tjetër për mjetet në zonat e thella malore është i domosdoshëm përdorimi i zinxhirëve.
Në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës drejt Maqedonisë së Veriut, është ndaluar qarkullimi i kamionëve për shkak se po punohet me borëpastruese në segmentin hyrës drejt Strugës.
Në veri, reshjet më të dendura ishin në aksin Bogë-Theth, ku në terren janë dy borëpastruese për të bërë të mundur hapjen e rrugës. Segmenti më problematik mbetet Qafa e Thores ku era krijon grumbuj dëbore në rrugë.
Reshje të dendura ka patur edhe në aksin Tamarë-Vermosh, ku autoritetet kanë paralajmëruar drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë rregullat e qarkullimit, duke u pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë.
Ndërkohê ende i bllokuar mbetet Dukagjini që ka hyrë në javën e tretë të izolimit si pasoje e shëmbjeve në rrugë.





