Në shtator rreth 1300 nxënës të shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”, do të zhvillojnë mësim në kushte më të mira. Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin për përmirësimin e klasave dhe pajisjen me laboratorë. Erion Veliaj pa nga afër ecurinë e punimeve.

 

“Jam shumë i kënaqur që rikthehemi te shkolla “Vasil Shanto”, pas rregullimeve dhe investimit në territoret e jashtme që sot janë kthyer jo vetëm në një aset për shkollën, por për të gjithë komunitetin që kalon kohën e lirë. “Vasil Shanto” është një nga shkollat elitë të qytetit të Tiranës, ndaj po bëjmë një investim i cili të jetë në të njëjtin nivel siç është edhe cilësia e mësimdhënies në këtë shkollë. Kjo është palestra ku vjen e gjithë udhëheqja sa herë ka zgjedhje dhe numërohen votat e Njësisë 5. Besoj se tani duhet të kalojmë nga kjo butafori e një palestre që bëhet e famshme njëherë në 2 vjet kur ka zgjedhje, në një realitet që duhet të ndryshojë për ata që këtë palestër ta përdorin përditë, që janë nxënësit e “Vasil Shantos”. Ndaj më vjen mirë që investimet e bashkisë do të prekin totalisht këtë palestër, siç kemi akomoduar ambientet e jashtme dhe ato të mësimdhënies, për t’i vënë një theks më të madh sportit.”

 

Kryebashkiaku Veliaj tha se krahas investimeve do të vijojë mbështetja me bursa për nxënësit ekselentë.

 

“Këtë vit kemi buxhetuar 3 mijë bursa për nxënësit ekselentë. Vitin e kaluar kishim rreth 2880, një nismë që u fillua nga Edi Rama kur ishte kryetar bashkie, dhe më vjen mirë që e kemi rikthyer për nxënësit me dhjeta. Kështu që kemi planifikuar më shumë bursa këtë vit, me shpresë që do të kemi më shumë nxënës me dhjeta”.

 

Kryebashkiaku i Tiranes kërkoi mirëkuptimin e tregtarëve, të cilët shesin në ambientet e shkollës “Vasil Shanto”, që të zhvendosen në tregjet e licencuara nga dhe që ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *