Subscribe

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Pandeli Majko vizituan ambientet e rikonstruktuara të konviktit të shkollës profesionale Hoteleri Turizëm. Pas zhvendosjes së banorëve që e kishin zaptuar një pjesë të konviktit prej gati 20 vitesh, Bashkia e Tiranës përfundoi rikonstruksionin duke mundësuar kushte më të mira për 180 nxënësit.

“Nuk kemi nevojë vetëm për kantiere infrastrukture, por edhe për kantiere sociale dhe ajo që po hapim sot është një kantier social. Ky është një konvikt i cili strehon 180 nxënës që vijnë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, që kërkojnë një mundësi suksesi në Tiranë, pranë një shkolle shumë të kërkuar, të cilën ne po e promovojmë edhe me politika qeverisëse, si Hoteleri-Turizmi”.

Duke iu referuar ambienteve të reja të përfituara nga lirimi i dhomave të zaptuara, Veliaj theksoi se Bashkia ka vendosur t’i zgjidhë të dyja problemet, kthimin e këtij konvikti nxënësve, dhe nga ana tjetër gjetjen e strehimit për banorët e larguar.

“Sindromat e vitit ‘97 nuk mund të vazhdojnë edhe 20 vjet më pas. Kemi ende territore të zaptuara, disa herë nga njerëz që kanë pasur një strehim tjetër që e kanë lëshuar me qira dhe ndërkohë përfitonin qyl nga shteti. Kjo nuk funksionon. Nuk mund të zgjidhim një problem duke shkaktuar një problem tjetër, por mund të bëjmë atë që po bëjmë sot, i kemi zgjidhur të dyja problemet. Për banorët që kanë qenë realisht nevojtarë ka një banesë sociale, ka bonus qiraje, ka një qendër të emergjencave të strehimit, kurse për nxënësit që vijnë nga komunitete me të ardhura modeste, nga familje në fshat, me një pagesë shumë minimale, 200 lekë në ditë, 6000 lekë në muaj, marrin këtu tre vakte dhe strehimin e garantuar.”

Veliaj tha se ajo që ndodhi me këtë konvikt nuk është vetëm një rregullim territoresh, por një mundësi për të ofruar minimumin e kushteve jetike për të gjithë ata nxënës që vijnë në Tiranë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *