Pastori amerikan, Andrew Brunson, i cili konsiderohet qendra e konfliktit në mes të Ankarasë dhe Uashingtonit, ka arritur në gjykatën e Turqisë për rifillim të gjykimit, pas akuzave të lidhura me terrorizëm.

Vëzhguesit janë duke pritur nëse ai do të lirohet meqë Shtetet e Bashkuar kanë kërcënuar me sanksione shtesë të rast të mbajtjes së Brunsonit në Turqi.

Seanca e katërt në rastin kundër pastorit amerikan mbahet të premten në qytetin Izmir.

Brunson, 50 vjeçar, mund të dënohet me 35 vjet burgim nëse shpallet fajtor për terrorizëm dhe spiunazh.

Prokurorët e akuzojnë atë për kryerje të krimeve në emër të grupeve terroriste. Ata supozojnë se Brunson është i lidhur me grupin e militantëve kurdë që udhëhiqet nga kleriku turk që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, të cilin Turqia e akuzon për orkestrim të tentimeve të dështuara për puç më 2016.

Brunson që ka jetuar në Turqi më shumë se dy dekada i mohon të gjitha akuzat.

Uashingtoni deklaron se ai është duke u mbajtur padrejtësisht nga autoritetet turke, në kuadër të arrestimeve dhe masave qeveritare pas puçit të dështuar.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert u ka thënë gazetarëve më 11 tetor se Uashingtoni shpreson që ai të lirohet shumë shpejt.

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar dy zyrtarë turq dhe kanë dyfishuar tarifat në importet turke të çelikut dhe aluminit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka sfiduar kërkesat e SHBA-së për lirim të Brunsonit.

Megjithatë ai më herët ka përmendur ndonjë shkëmbim të mundshëm të Gulenit me Brunsonin./ R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *