Subscribe

Kjo fabrikë e riciklimit të plastikës ka që prej vitit 1995 që punon në Shqipëri. Vullnet Haka është administratori i saj dhe tregon se përpara se politika të futej në industrinë e riciklimit dhe të hartonte një listë për mbetjet që lejohen apo jo, ndërmarrja e tij ka qënë konkurruese edhe në tregun europian dhe shiste për Francën, Italinë e shumë shtete të tjera, qese, ambalazhe dhe fletë plastike. Që prej vitit 2011-të, shitjet e tij kanë rënë ndjeshëm dhe po e çojnë drejt falimentit. Për këtë arsye, Vullnet Haka falënderon të gjithë parlamentarët, që pas votimit, shpëtuan biznesin e tij. Vullnet Haka thotë se nuk ka për qëllim që të marrë mbetje të rrezikshme, sepse nuk i duhen dhe nuk ka ku t’i çojë. Ai thotë se i duhet vetëm plastika e pastër, e cila është shumë e rrallë për t’u gjendur në Shqipëri, kjo edhe për faj të pushtetit vendor, i cili nuk ka bërë ende ndarjen e mbeturinave. Në këndvështrimin e tij si biznes, Haka thotë se nëse nuk do të ishin ricikluesit, mjedisi sot do të ishte shumë më i ndotur. Industria e riciklimit ka 2200 të punësuar dhe deri më sot, shoqata thotë se ka punuar vetëm me 26% të kapaciteteve të saj. Në vite, investimet e kësaj industrie arrijnë 234 milion euro. Menjëherë pas lejimit të importit, ato pritet te rriten me 150 milion euro dhe punësimi do të shtohet me 1000 të tjerë. Gjithsej në Shqipëri janë 38 ndërmarrje riciklimi. Ajo e plastikës i mbledh qeset me persona të shtresës vunerabël që i gjejnë në kazanët e plehrave. Pasi i lan dhe bën pastrimin e tyre, plastika grihet dhe shkrin, duke nxjerrë disa kokrriza, të cilat më pas prodhojnë qeset e reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *