Parlamenti i Malit të Zi miratoi një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës si dhe shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq për shkak të mos njohjes së vrasjeve masive në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës. 43 deputetë votuan pro ndërsa 27 ishin kundër.
Më 26 mars, Leposaviq deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.
Ky qëndrim nxiti kritika të forta jo vetëm në vend por edhe nga Bashkimi Europain dhe SHBA. Propozimi për shkarkimin e tij u bë nga kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ndërsa u mbështet edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Millo Gjukanoviq.
Rezoluta dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që mohojnë ose vënë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë si dhe shpall 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e Srebrenicës.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.
Kjo ngjarje përbën vrasjet masive më të rënda në Europë prej Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1995 forcat e serbëve të Bosnjës vranë rreth 8.000 burra dhe djem muslimanë.