Subscribe

Lufta kundër korrupsionit nuk arriti të bashkojë mazhorancën dhe opozitën në parlament edhe pse të dy kampet politike vazhdimisht kanë folur për korrupsionin si një prej fenomeneve më shqetësuese në Shqipëri.

Opozita ka vendosur të mos bëhet pjesë e procesit të votimit të rezolutës së hartuar nga mazhoranca për luftën kundër këtij fenomeni, por ky qëndrim nuk ndryshon asgjë në vendosmërinë e mazhorancës socialiste për të nisur reformën e kuadrit ligjor, për të çelur një cikël të ri në luftë kundër korrupsionit dhe për të përmbushur të gjitha detyrimet që Shqipëria të bëhet pjesë e BE pas 6 vitesh.

Rezoluta u mbrojt në parlament nga kryeministri Edi Rama i cili për herë të fundit ka folur para deputetëve në tetorin e vitit të kaluar.

“Jemi të vetëdijshëm që korrupsioni është kancer i trashëguar, të cilin kundërvënia jonë me vizion me reforma dhe me heqjen dorë nga kontrolli politik i drejtësisë kaq nisur të zmbrapsë, por ende nuk e ka mundur. Korrupsioni është fenomen shqetësues, ja pse ne dhe jo dikush tjetër vijmë sot në këtë parlament me këtë nismë që dëshmon se kjo forcë politike në qeveri jo vetëm që nuk ka asnjë vetëkënaqësi po ka një të atillë fuqie të brendshme për ndryshimin e vendit”, tha Rama.

Për të gjithë skeptikët, shefi i qeverisë Edi Rama ka garantuar se SPAK-u do të ketë të gjithë mbështetjen e qeverisë dhe kompetencat e tij nuk do të preken

“SPAK-u është ilaçi i hidhur që o e pi o vdes. Dhe kush e pi si ju njëherë po e njëherë jo zgjat agoninë e vet e tretet siç po treteni ju tek rrugica e shpresës”, u shpreh ai.

Kryeministri Edi Rama sqaroi se mazhoranca do të ecë para me reformën pavarësisht qëndrimit të opozitës

 “Ashtu siç nuk u ndal reforma ne drejtësi, as kjo nuk ndalet, ndaj thirrja ime mos e bojkotoni nesër komisionin qe do te ngrihet menjëherë”, tha kryeministri.

Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha kanë vendosur të mos marrin pjesë në votim pasi sipas tyre korrupsioni nuk luftohet me rezoluta, për më tepër në dekadën e fundit shefi i qeverise ka treguar se nuk synon të luftojë këtë fenomen

“Edi Ramës ka treguar vazhdimisht në këto 11 vjet se nuk është as i aftë dhe as i gatshme të luftojë korrupsionin në mënyrë të efektshme. Në vend të kësaj, qeveria e tij ka frymëzuar dhe përjetësuar një sistem ku korrupsioni është bërë normë”, tha Gazment Bardhi.

Edhe demokratët e drejtuar nga Lulzim Basha janë kundër pasi ata besojnë se qeveria socialiste synon të dobësojë SPAK-un

“Shqiptarët presin të shohin nëse ky është një akt puro elektoral në rastin më të mirë, apo një komplot kundër SPAK dhe kundër reformës në drejtësisë në rastin më të keq”, tha Basha.

Në rezolutën “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin ” vihet në dukje se Shqipëria ka nevojë të nisë një cikël të ri reformash për të bërë realitet anëtarësimin e Shqipërisë në BE pas 6 vitesh.

Dokumenti parashikon që procesi i reformave të udhëhiqet nga parlamenti duke ngritur një komision të posaçëm i cili së bashku me ekspertizën e BE dhe SHBA do të realizojë rishikimin e kuadrit ligjor, përfshi edhe ligjet e reformës në drejtësi.

Ende është e paqartë se si do të sillet opozita në raport me këtë komision, a do të bëhet pjesë apo do ta bojkotojë, pasi deri më tani demokratët kërkojnë garanci që nuk do të bëhen fasadë e mazhorancës socialiste në prag të zgjedhjeve parlamentare. /vizionplus.tv

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *