Rezoluta/ 100 vende kërkon hetimin e pandemisë, Kina reagon ashpër

Asambleja e 73-të e shëndetit botëror për herë të parë në historinë e saj do të zhvillohet virtualisht. 100 vende janë bërë pjesë e një draft rezolute që kërkon rishikimin e përgjigjes ndërkombëtare ndaj pandemisë Covid-19. Bashkimi Europian, Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Zelanda e Re, kanë qënë vendet e para që kërkuan një hetim se si është trajtuar pandemia globale deri më tani. Kjo u prit me një përgjigje të zemëruar nga Pekini, i cili e konsideroi këtë, një veprim “jashtëzakonisht të papërgjegjshëm” që mund të “prishë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftimin e pandemisë.
Por rezoluta që do të shqyrtohet në mbledhjen vjetore të anëtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, këtë të hënë në Gjenevë, nuk veçon Kinën ose ndonjë vend tjetër, ajo bën thirrje për një “vlerësim të paanshëm, të pavarur dhe gjithëpërfshirës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë është kritikuar ashpër nga shtetet e bashkuara të cilat ndërprenë edhe fondet ndaj saj, me arsyetimin se kriza shëndetësore nuk është lajmëruar në kohën dhe mënyrën e duhur. Presidenti Donald Trump e ka akuzuar organizatën se ka mbështetur Kinën duke fshehur të dhënat.
Më shumë se 4.8 milionë njerëz në të gjithë botën janë infektuar nga koronavirusi ndërsa 317 mijë pacientë kanë humbur jetën.




