Që nga data 1 Maj në të gjitha institucionet janë mbyllur sportelet, për t’i lënë vend dorëzimit apo marrjes së dokumentave online.

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër ofrimin e shërbimeve online në Agjensinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, ku aplikimet për barnat kryhen vetëm përmes portalit e-Albania dhe leja për subjektet lëshohet elektronikisht.

“Ministria e Shëndetësisë ka punuar për të kaluar online 26 shërbime në të gjithë institucionet e varësisë. Janë më shumë se 11 mijë dokumentacione në vit, të cilat do të jepen online. Në Agjensinë e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore dhe në Ministrinë e Shëndetësisë, që po ashtu lëshon autorizime të importit të barnave dhe lloje të ndryshme autorizimesh në funksion të të gjithë qarkullimit, tregtimit dhe prodhimit të barnave në Republikën e Shqipërisë, janë 17 autorizime të cilat praktikisht janë pjesë e shërbimeve online. Më shumë se 7400 dokumenta nga këto autorizime janë dhe po realizohen online”, tha Manastirliu.

Duke u shprehur se revolucioni digjital ka sjellë një qasje inovatore në Shëndetësi, për shmangien e burokracive në marrjen e shërbimeve për qytetarët, Manastirliu tha:

“Sigurisht revolucioni digjital është një proçes. Është një proçes që kërkon, përveç të gjithë trajnimit të ekipeve tona, edhe një ndryshim në mendësi. Kjo është një qasje, e cila është duke u siguruar ditë pas dite. Çdo problematikë apo sfidë në vijim të këtij proçesi është duke u trajtuar në kohë reale dhe është duke u trajtuar me shumë seriozitet nga gjithë institucionet tona. I gjithë proçesi i madh i digjitalizimit, axhenda digjitale do të vazhdojë. Ministria e Shëndetësisë është një lider dhe mund të them me shumë modesti është kampion përsa i përket përfshirjes në sistemin shëndetësor të shumë programeve elektronike, duke bërë të mundur që të kemi më pak burokraci në marrjen e shërbimeve. Sot qytetarët kanë mundësi që nëpërmjet sistemit e-Albania të kenë mundësi të aksesojnë çertifikata të ndryshme përsa i përket informacioneve për shëndetin e tyre, përsa i përket Kontrollit Mjekësor Bazë, përsa i përket çertifikatës së vaksinimit” tha Manastirliu.

Nga data 1 Maj 2022, revolucioni digjital në fushën e shëndetësisë ka hyrë në një fazë të re, me mbylljen e sporteleve fizike dhe kalimin tërësisht online të aplikimeve në sistemin shëndetësor.

 

Në këtë mënyrë, eleminohen burokracitë, përmirësohet koha dhe cilësia e marrjes se shërbimeve për 26 aplikime në total në institucionet e MSHMS për rreth 11 000 dokumenta në vit. Institucionet të cilat ofrojnë shërbime online janë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale; Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM); Agjencia e Sigurimit të Cilësisë te Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror; Shërbimi Social Shtetëror; Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm te Kujdesit Shëndetësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *