Subscribe

Rikthimi me intensitet i reshjeve të shiut në të gjithë vendin, ka përkeqësuar më tej qarkullimin në rrugët kryesore, ndërsa janë në rrezik përmbytjeje banesa e toka bujqësore. Në rrugën Gjirokastër- Kakavijë, përroi pranë varrezave ka dalë nga shtrati, duke bllokuar këtë aks rrugor. Që në hyrje të qytetit, Ura e Gjorkanës e deri në Kordhocë është e pamundur të kalohet nga automjetet. Përroi i Gjorkanës ka sjellë masive të tërë gurësh, duke e bllokuar këtë aks, për më shumë se dy orë. Situata vijon të mbetet kaotike, pasi prezenca e ujit është e madhe. Ndërkaq një tjetër emergjencë është dhe në përroin e Cullos në lagjen Granicë. Ai ka dalë nga shtrati duke vërshuar para banesave. Në zonën e Bulqizës, lumi Drini i Zi është në pikën e tij kritike. Si pasojë e reshjeve të dendura, janë rritur ndjeshëm prurjet e për pasojë, rrezik potencial është dalja e tij nga shtrati, nga ku rrezikohet përmbytja e banesave në Gjoricë.
Situata është edhe më komplikuar për shkak edhe të hapjes së portave për shkarkim nga HEC-et në Maqedoni. Ne Bulqizë ndodhet edhe Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, për të parë nga afër situatën.
Nga Tirana, ku inspektoi disa banesa të prekura nga vërshimi i ujit, në njësinë numër 11, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, apeloi për më shumë solidaritet për familjet e dëmtuara. Së bashku me një sërë përfaqësuesish të institucioneve të varësisë, ministri Tahiri ka shpërndarë ndihma për familjet e kryeqytetit.
Sipas Tahirit, nuk mund të flitet për një bilanc dëmesh, pasi reshjet vijojnë ende. Ministri tha se u është bërë thirrje sipërmarrësve, dhe të gjitha institucioneve shtetërore, të fillojnë një fushatë solidariteti dhe ndihme për të gjithë ata që kanë pasur probleme, për shkak të motit dhe situatave të vështira.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *