Moti i keq me rebeshe shiu dhe stuhi ka përfshirë orët e pasdites qytetin e Beratit duke shkaktuar probleme në çdo aks rruge dhe në shumë lagje. I favorizuar edhe nga era e fortë, shiu ka bllokuar si rrugët kryesore ashtu edhe ato të shumë lagjeve të qytetit,duke vështirësuar lëvizjen e automjeteve dhe të këmbësorëve.

 

Reshjet intensive të shiut që vijojnë ende pa ndërprerje kanë vërshuar në disa nga rrugët kryesore të qytetit që janë ende nën pushtetin e ujit dhe në shumë lagje, ku njerëzit vështirësht mund të qarkullojnë.

 

Situata më problematike paraqitet në akset rrugore: “Spital-Uznovë”,“Kthesa e Gjykatës”,“Stadiumi i Vjetër”, “Çelepias”, Tregu Industrial” etj. Shiu nuk ka kursyer as Tregun Industrial dhe Stadiumin e Vjetër të qytetit, që prej disa orësh janë në ujë ashtu si dhe shumë lagje të qytetit, ku është e pamundur të hysh në këmbë pa çizme.

 

Kjo situatë në Berat përsëritet sa herë që ka reshje intensive shiu dhe shkak për këtë mendohet të jetë bllokimi i tubacioneve të ujërave të larta,të cilat kanë bërë që i gjithë uji të dalë në rrugët e qytetit dhe në çdo lagje.

 

Reshjet e shiut por edhe prurjet e mëdha nga përrenjtë kanë sjellë edhe rritjen e prurjeve të lumit Osum, kuotat e të cilit sa vijnë dhe rriten. Sipas raportimeve, në rrugë kanë dalë shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e shërbimit të bashkisë, të cilët po zhbllokojnë pusetat e bllokuara nga prurjet dhe janë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme që mund të krijohej.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *