Zv. Ministri i MIE, kreu i ARRSH, kreu i AKMC si dhe përfaqësues të tjerë të instucioneve për mbarëvajtjen e rrugëve dhe hekurudhave në vend po mbajnë një konferencë për mediat lidhur me bllokimin e akseve rrugore.
Ami Kozeli, kreu i ARRSH bëri të ditur se situata më problematike paraqitet në aksin Librazhd–Prrenjas, ku më 19 shkurt u konstatua aktivizimi i një rrëshqitjeje masive dheu. Sipas tij, fillimisht u vendos kufizimi i lëvizjes me një korsi dhe u urdhëruan sondazhe gjeologjike për të përcaktuar thellësinë e rrëshqitjes, ndërsa strukturat e ARRSH-së nisën monitorimin e vazhdueshëm të zonës.
Reshjet intensive të shiut në vijim e përkeqësuan situatën, duke bërë që të shtunën në mëngjes rrëshqitja të avanconte ndjeshëm. Si masë emergjente u bllokua qarkullimi në urë dhe brenda natës u ndërtua një rrugë provizore për të garantuar kalimin, ndërsa u orientuan edhe akset alternative. Për situatën u njoftuan Policia e Shtetit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Emergjencat Civile, si dhe operatorët OST dhe OSHEE.
Megjithatë, rrëshqitja mbeti aktive dhe preku edhe aksin provizor, duke detyruar autoritetet të bllokojnë totalisht qarkullimin. Sipas analizës paraprake, shkaku kryesor i situatës lidhet me reshjet intensive dhe të zgjatura në kohë, si dhe me erozionin lumor, çka ka sjellë një rrëshqitje masive aktive dhe pamundësi për ndërhyrje të menjëhershme pa përfunduar raporti gjeologjik.
Në mbledhjen e sotme të këshillit teknik të përbashkët mes ARRSH-së dhe Hekurudhës Shqiptare, u vendos ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës, në shtratin e lumit Shkumbin, në bashkëpunim me strukturat hekurudhore, si dhe prishja e urës ekzistuese.
Kozeli: ARRSH e ka vlerësuar maksimalisht situatëm e rëndë të krijuar në Librazhd-Prrenjas. Strukturat tona kanë qenë në terren. Ditën e enjte më 19 shkurt u konstatua aktivizimi i një rrëshqitjeje dheu. U vendos kufizimi i lëvizjes me një korsi dhe u urdhëruan sondazhe gjeologjike për të përcaktuar thellësinë e rrëshqitjes. Nisi monitorimi i terrenit. Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve në vijim e rënduan situtatën. Të shtunën në mëngjes rrëshqitja kishte avancuar ndjeshëm. Në këto kushte si masë emergjente u bllokua qarkullimi në urë dhe nisi ndërtimi i një rruge provizore kalimi, e realizuar brenda natës.
U orientuan akset alternative. U njoftua Polica e Shtetit, Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Emergjencat Cilive, OST dhe OSHEE. Rrëshqitja mbeti aktive dhe preku dhe aksin provizor, duke na detyruar të bllokojmë totalisht qarkullimin. Nga analiza e kryer shkaku kryesor i kësaj situate mbetet ndikimi i rreshjeve intensive dhe të shtrira në kohë të gjatë dhe erozioni lumor, gjë që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive dhe pamundësi për ndërhyrje të menjëhershme derisa të merren rezultatet e raportit gjeologjik. Në mbledhjen e sotme, këshilli teknik i përbashkët midis ARRSH dhe hekurudhës shqiptare u morën këto vendime; ndërtimi i një rruge të re alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin, rakordimi me hekurudhën shqiptare për realizimin e kësaj rruge, prishja e urës ekzistuese./vizionplus.tv




