Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa zona të juglindjes së vendit, duke lënë mbi 1 100 familje pa drita, kryesisht në zonat rurale të qarkut Korçë.
Sipas Dispeçerisë Rajonale Korçë, disa fidere kanë dalë jashtë funksionit për shkak të defekteve teknike të shkaktuara nga moti i keq dhe ngarkesa në rrjet. Problemet më të mëdha janë regjistruar në fidërin Cërrvenakë të nënstacionit Gur i Kuq, fidëri 4 dhe fidëri 9 të nënstacionit Lozhan, si dhe fidërin komunal 3 të nënstacionit Maliq.
Gjithashtu, ndërprerje janë raportuar në fidërin JO6 të nënstacionit Leskovik dhe fidërin 3 të nënstacionit Ersekë, duke prekur zona si Gjyrakare, Postenan, Peshtan, Kamnik, Piskal, Ndërmarrje, Shijan dhe Kaduc. Në Vithkuq, fidëri i nënstacionit Rehovë ka lënë pa energji rreth 250 abonentë, ndërsa fidëri komunal Tulla në nënstacionin Maliq furnizon rreth 300 abonentë në zonën Kolanec dhe fshatin Maliq.
Burimet nga sektori energjetik bëjnë me dije se rrjeti elektrik në shumë prej zonave të prekura është i amortizuar, çka e vështirëson menaxhimin e ndërprerjeve gjatë kushteve ekstreme të motit. Në total, 1 143 abonentë aktualisht janë pa energji elektrike në qarkun e Korçës dhe zonat përreth.
/vizionplus.tv





